Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka lëshuar një mesazh të fuqishëm drejtuar qytetarëve të Kosovës, duke e cilësuar 28 dhjetorin si datën kur “Kosova flet dhe populli vendos”. Në një deklarim publik në faqen e tij në facebook, ai thekson se vendi ka hyrë në një moment vendimtar ku fjalët nuk mjaftojnë më, dhe se janë të domosdoshme vendime të guximshme.
“Koha e fjalëve ka kaluar. Tani është koha e vendimeve të mëdha,” shkruan Haradinaj, duke u bërë thirrje qytetarëve që ta mbrojnë të ardhmen e vendit “jo me fjalë të thata, por me votë të pastër dhe me qëndrim të fortë”.
Lideri i AAK-së thekson se çdo kategori e shoqërisë ka një rol në këtë proces – nga ushtarët dhe policët, te mjekët, bujqit, arsimtarët, studentët e nxënësit. Sipas tij, me votën e tyre, Kosovës i kthehet nderi, siguria, shëndeti dhe e ardhmja.
Haradinaj u shpreh se qëllimi i tij dhe i Aleancës është të rikthejnë besimin te shteti dhe të sjellin qeverisje që “punon, nuk dridhet dhe nuk i shërben propagandës, por qytetarëve pa dallim”. Ai paralajmëroi se gjatë ditëve në vijim do të jetë i pranishëm në terren, në çdo fshat e çdo lagje, duke takuar familjet që, siç tha, “kanë mbajtur Kosovën gjallë në ditët më të vështira”.
Një pjesë të veçantë të mesazhit Haradinaj ia kushtoi mërgatës, të cilën e quajti “zemra e Kosovës në botë” dhe “krah i fortë i familjes”. Ai tha se vota e tyre, bashkë me atë të qytetarëve brenda vendit, do t’i rikthejë Kosovës shpresën.
Kreu i AAK-së theksoi gjithashtu rëndësinë e aleatëve ndërkombëtarë, sidomos të SHBA-ve dhe NATO-s, duke theksuar se pa ta “nuk ka shtet të sigurt”. Ai akuzoi qeverinë aktuale për propagandë dhe fyerje ndaj çlirimtarëve, duke thënë se populli “e ka parë mashtrimin” dhe është gati të bëjë ndryshimin.
“Kosova nuk mbrohet prej zyreve të propagandës që i fyen gazetarët dhe mediat. Kosova mbrohet prej popullit,” tha Haradinaj, duke mbyllur me një thirrje për pjesëmarrje masive më 28 dhjetor, ditë të cilën e cilësoi si momentin kur qytetarët do të flasin “fort dhe drejt”.
Sipas tij, zgjedhjet e ardhshme janë udhëkryqi i madh i vendit dhe shansi për të rikthyer shtetin me ekonomi të fortë, siguri të garantuar dhe të ardhme më të sigurt për të gjitha gjeneratat.

