Uashingtoni dhe Kievi afër marrëveshjes së Paqes: Sovraniteti i Ukrainës, i panegociueshëm!

by informim peje

Qeveritë e Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës theksuan mbrëmjen e së dielës, në një deklaratë të përbashkët të publikuar nga Shtëpia e Bardhë, se çdo marrëveshje për t’i dhënë fund luftës me Rusinë “duhet të respektojë plotësisht sovranitetin kombëtar të Ukrainës”. Deklarata erdhi pas një dite bisedimesh intensive në Gjenevë mes delegacioneve amerikane, ukrainase dhe evropiane.

Sipas presidencës amerikane, takimi në Zvicër, ku mori pjesë Sekretari i Shtetit Marco Rubio — u vlerësua si “një hap i rëndësishëm përpara” drejt arritjes së një zgjidhjeje për konfliktin që ka shpërthyer që prej pushtimit rus të 24 shkurtit 2022. Rubio tha pas takimit se ndihej “shumë optimist” për një marrëveshje që mund të finalizohet “shumë shpejt”. Bisedimet u zhvilluan mbi bazën e një plani 28-pikësh, të propozuar nga Presidenti amerikan Donald Trump, dhe i cili është rishikuar gjerësisht pas kundërshtimeve nga Kievi dhe disa kryeqytete evropiane. Deklarata thekson se SHBA-ja dhe Ukraina “kanë hartuar një version të ri, të përditësuar dhe të rafinuar” të kornizës së paqes.

banner

Shefi i stafit të presidentit ukrainas, Andriy Yermak, foli për “përparim shumë të mirë”, ndërsa Presidenti Volodymyr Zelensky nënvizoi se drafti i ri pasqyron “shumicën e prioriteteve kryesore të Ukrainës”. Ndërkohë, vendet kryesore evropiane — Britania, Gjermania dhe Franca — paraqitën një kundërpropozim të tyre, i cili synon të shmangë presionin mbi Kievin për lëshime territoriale. Drafti evropian sjell ndryshime të rëndësishme, si heqja e kërkesës për koncesione në Donbas dhe modifikimi i kufizimeve mbi ushtrinë ukrainase, ndërkohë që parashikon edhe një rol të mundshëm të Rusisë në G8 dhe një proces gradues heqjeje sanksionesh.

Megjithatë, vijat e kuqe të Ukrainës mbeten të pandryshuara: asnjë marrëveshje nuk mund të legjitimojë pushtimin e territoreve ukrainase dhe as të detyrojë Kievit të pranojë kufij të ngrirë. Zelensky kërkon garanci të forta sigurie, mekanizma të qartë për lirimin e të burgosurve dhe kthimin e fëmijëve të rrëmbyer, si dhe mbajtjen e aseteve ruse të ngrira derisa të paguhet kompensimi për dëmet e luftës.

Ndërsa draftet amerikane, evropiane dhe ukrainase po harmonizohen, negociatorët konfirmojnë se bisedimet janë më afër se kurrë një marrëveshjeje. Trump i kishte dhënë Kievit afat deri më 27 nëntor, por së fundmi deklaroi se plani i tij “nuk ishte oferta përfundimtare”, duke lënë hapësirë për modifikime të mëtejshme. Nëse palët arrijnë dakord, një armëpushim i menjëhershëm dhe një tërheqje e koordinuar e forcave do të vendosen nën mbikëqyrjen amerikane — një zhvillim që mund të shënojë kapitullin më të rëndësishëm diplomatik që nga fillimi i konfliktit.

Kundërpropozimi evropian me 28 pika për paqen në Ukrainë

Riafirmimi i sovranitetit të Ukrainës.

Një pakt gjithëpërfshirës mossulmimi midis Rusisë, Ukrainës dhe NATO-s.

Fshirja e pikës 3 të planit amerikan për ndalimin e zgjerimit të NATO-s.

Nisja e dialogut Rusi–NATO pas marrëveshjes.

Garanci të forta sigurie për Ukrainën.

Kufizimi i forcave të armatosura të Ukrainës në 800,000 trupa.

Anëtarësimi i Ukrainës në NATO të varet nga unanimiteti i shteteve anëtare.

NATO të mos stacionojë trupa të përhershme në Ukrainë.

Avionët luftarakë të NATO-s të stacionohen në Poloni.

Garanci sigurie nga SHBA-ja, ekuivalente me Nenin 5.

Kualifikimi i Ukrainës për anëtarësim në BE dhe akses preferencial në treg.

Një paketë globale rindërtimi për Ukrainën.

Riintegrimi i Rusisë në ekonominë globale dhe heqja graduale e sanksioneve.

Rindërtimi dhe kompensimi i plotë i Ukrainës, me asetet ruse të ngrira.

Krijimi i një Grupi të Përbashkët Sigurie SHBA–Ukrainë–Rusi–Evropë.

Angazhim i Rusisë për mos-agresion ndaj Evropës dhe Ukrainës.

Zgjerimi i marrëveshjeve për kontrollin bërthamor.

Ukraina të mbetet shtet jo-bërthamor.

Rinisja e centralit të Zaporizhias nën mbikëqyrjen e IAEA-s.

Zbatimi nga Ukraina i standardeve evropiane për të drejtat e pakicave dhe tolerancën fetare.

Angazhimi i Ukrainës për të mos rikthyer territor me forcë.

Ndalesa për ndryshim kufijsh me forcë pas marrëveshjes.

Garancia ruse për përdorimin e lumit Dnieper dhe transport të lirë të drithërave.

Krijimi i një komisioni humanitar për shkëmbim të të burgosurve dhe çështje humanitare.

Mbajtja e zgjedhjeve në Ukrainë pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Dispozita shtesë për viktimat e luftës.

Marrëveshja të jetë ligjërisht e detyrueshme dhe të mbikëqyret nga një “Këshill Paqeje”.

Armëpushim i menjëhershëm dhe tërheqje në pikat e dakorduara.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy