Procesi përgatitor i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit do të zhvillohet brenda vetëm 37 ditëve, gjë që ka detyruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të shkurtojë dhe përshtasë të gjitha afatet ligjore. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka sqaruar se ky shkurtim është i paraparë me ligj dhe se KQZ ka të drejtë t’i rregullojë afatet në zgjedhje të parakohshme.
Elezi theksoi se meqenëse procesi zgjedhor ka në dispozicion vetëm 37 ditë, të gjitha aktivitetet duhet të organizohen brenda kësaj periudhe të reduktuar, në pajtim me rrethanat dhe Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Sipas vendimit të KQZ-së, partitë politike kanë afat 7-ditor për të deklaruar koalicionet e tyre dhe për ta njoftuar KQZ-në për këtë (24 – 30 nëntor 2025). Në të njëjtën periudhë, subjektet politike – partitë, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur – duhet të aplikojnë për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Për subjektet që aplikojnë për certifikim, KQZ ka caktuar afat 2-javor për dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë (24 nëntor – 7 dhjetor 2025). Tërheqja e numrave të renditjes në fletëvotim do të bëhet më 8 dhjetor 2025, pasi subjektet të kenë dorëzuar listat përfundimtare.
Fushata zgjedhore do të zgjasë 11 ditë e 7 orë, duke filluar më 17 dhjetor dhe përfunduar më 28 dhjetor, në orën 06:59.
Qytetarët me të drejtë vote mund të ndërrojnë Qendrën e Votimit brenda komunës në një periudhë 11-ditore (26 nëntor – 6 dhjetor 2025), ndërsa kundërshtimet për pasaktësi në Listën Votuese mund të paraqiten brenda 12 ditësh (26 nëntor – 7 dhjetor 2025).
KQZ gjatë kësaj jave do të miratojë listën e Qendrave të Votimit në përfaqësitë diplomatike dhe do të caktojë numrin maksimal të votuesve që mund të regjistrohen për të votuar fizikisht në këto qendra (25 – 26 nëntor 2025).
Po ashtu, nga 26 nëntori deri më 6 dhjetor do të zgjasë periudha 11-ditore për regjistrimin online të votuesve jashtë Kosovës. Ata që zgjedhin votimin në përfaqësi diplomatike do të votojnë një ditë para zgjedhjeve në Kosovë (27 dhjetor 2025). Ndërkohë, votuesit që votojnë përmes postës do të kenë afat 16 ditë për të dërguar pakon me fletëvotim në kutitë postare të KQZ-së në shtete të ndryshme (12 – 27 dhjetor 2025).
Regjistrimi i votuesve me nevoja të veçanta, të cilët votojnë përmes ekipeve mobile, do të realizohet brenda një afati 11-ditor (11 – 21 dhjetor 2025).
Numri i përgjithshëm i votuesve me të drejtë vote brenda dhe jashtë Kosovës do të bëhet i ditur nga KQZ me certifikimin e listës së votuesve më 10 dhjetor 2025.

