Ministrja e Ekonomisë në detyrë, Artane Rizvanolli, ka reaguar ashpër ndaj pretendimeve se Kosova ka konsumuar energji të blerë nga kompania EFT e Vuk Hamoviqit më 28 nëntor. Ajo i ka cilësuar këto raportime si gënjeshtra të rrezikshme që synojnë të helmojnë opinionin publik në një ditë simbolike për kombin shqiptar.
Në reagimin e saj, Rizvanolli u shpreh se përdorimi i 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit – për të përhapur dezinformata është “niveli më i ulët i betejës politike” që po zhvillohet kundër qeverisë.
“KOSTT ka analizuar të gjitha të dhënat e kësaj date dhe rezultati është i qartë: nuk ka ASNJË FAKT që qoftë edhe një MWh i vetëm i konsumuar në Kosovë të jetë blerë apo bartur nga EFT e Vuk Hamoviqit,” theksoi ministrja.
Sipas saj, publikimi i të pavërtetave në një ditë me domethënie të veçantë për shqiptarët synon të krijojë tensione të panevojshme dhe të dëmtojë reputacionin e institucioneve energjetike të vendit.
Reagimi i Rizvanollit vjen pas një vale akuzash publike dhe komenteve politike, teksa çështja e furnizimit me energji mbetet një nga temat më të debatueshme të ditëve të fundit. Ministrja u bëri thirrje qytetarëve të mos bien pre e dezinformatave dhe të bazohen vetëm në të dhënat zyrtare.

