Historia e panjohur e Hafiz Ali Tarit që foli në varrimin e Fishtës dhe vuajti 20 vite burg, se denoncoi ideologjinë komuniste

by informim

Shkruan: Dashnor Kaloçi  

Memorie.al publikon historinë e panjohur të klerikut dhe intelektualit të famshëm nga qyteti i Shkodrës, Hafiz Ali Tari, i cili pasi ishte diplomuar për Filozofi dhe Jurisprudencë Islame në Universitetin “Al-Azhar” të Kajros, për shumë vite me radhë shërbeu në vendlindjen e tij në Shkodër, ku në periudhën e pushtimit të vendit, ai mbajti një fjalim në Kinema “Rozafat” mbi rrezikun që vinte prej ideologjisë komuniste.

Fjala e panjohur e Hafiz Aliut në varrimin e Padër Gjergj Fishtës më 31 dhjetor 1940 dhe dëshmitë e Nexhmi Bushatit, Caf Jonuzit e Konrad Gjolajt lidhur me jetën dhe persekutimin e Hafiz Aliut, nga regjimi komunist i Enver Hoxhës ku ai vuajti 20 vjet burg

Hafiz Aliu, student në Kajro

Hafiz Aliu u lind në vitin 1900 në qytetin e Shkodrës në një familje mjaft të njohur për traditat atdhetare dhe devocionin ndaj besimit islam. Lidhur me shkollimin e Hafiz Aliut dhe më pas kthimin e tij në qytetin e Shkodrës, Nexhmi Bushati tregon: “Mësimet e para të shkollës fillore dhe më pas ato të shkollës së mesme, Hafiz Ali Tari i mori në vendlindjen e tij, në qytetin e Shkodrës dhe në atë kohë atë e kishte nën kujdestari Hafiz Ismail Hakiu. Nga ky klerik i famshëm mysliman që ishte mjaft i njohur jo vetëm në qytetin e Shkodrës, por edhe në të gjithë Shqipërinë, Hafiz Aliu, mori mësimet e para të besimit islam. Po kështu përveç Hafiz Ismail Hakiut, prej të cilit ai mësoi dhe përfitoi shumë, Ali Tari kishte kontakte të vazhdueshme edhe me klerikë të tjerë të besimit islam, mjaft të ditur që shërbenin në atë qytet, si Sali Efendi Myftija, Sheh Ali Kruja, Hafiz Musa Dërguti, Haxhi Muhamet Begteshi etj.

Duke qenë se Ali Tari që në atë moshë kishte një adhurim të veçantë për fenë islame, gjë e cila shkonte deri në veneracion, Hafiz Ismail Hakiu e ndihmoi dhe i hapi rrugën atij që të shkollohej, në një nga universitetet më të  njohur të teologjisë, në “Al-Azhar” të Kajros në Egjipt. Studimet në atë universitet të njohur dhe me famë të madhe ku mësonin me qindra studentë të besimit islam nga e gjithë bota, Hafiz Aliu i përfundoi në vitin 1924, duke u diplomuar për Filozofi Islame. Po kështu gjatë asaj periudhe që ndoqi studimet teologjike, Hafiz Aliu paralelisht studioi edhe u diplomua për Jurisprudencë Islame. Pas mbarimit të studimeve në atë universitet, ai u pajis edhe më shumë jo vetëm me dituritë për fenë islame, por edhe me një kulturë të përgjithshme në përvetësimin e disa gjuhëve të huaja. Kështu gjatë atyre viteve ai mundi të përvetësonte, gjashtë gjuhë të huaja, nga të cilat tre orientale: arabisht, turqisht dhe persisht, që i fliste dhe i shkruante njëlloj si gjuhën e tij, shqipen. Përvetësimi i këtyre gjuhëve në mënyrë perfekt, u harm.onizua me vullnetin e madh që ai kishte dhe i dha mundësinë e i hapi rrugën Hafiz Aliut, që në të ardhmen ai të studionte akoma dhe më shumë në fushën e studimeve teologjike, të cilave u kishte kushtuar jetën e tij”,

Hafiz Aliu në Shkodër

Pas diplomimit në Kajro, në vitin 1924, Hafiz Ali Tari u kthye në Shqipëri duke u emëruar në vendlindjen e tij në qytetin e Shkodrës. Gjatë gjithë asaj kohe që shërbeu në atë qytet, Hafiz Aliu vuri të gjitha energjitë e tija në shërbim të banorëve jo vetëm të qytetit, por edhe të fshatrave të besimit mysliman në të gjithë qarkun. Lidhur me fillimet e para të karrierës fetare të Hafiz Ali Tarit, Nexhmi Bushati tregon: “Hafiz Ali Tari bënte zbërthimin dhe komentimin e verseteve Kur’anore dhe të hadit’heve të Profetit Muhamed (A.S.) të cilat ua transmetonte të gjithë besimtarëve, duke arritur që të depërtonte në thellësitë e shpirtit të tyre, si në xhaminë e Plumbit, Fushë-Çelë, në xhaminë e vjetër të Parrucës etj, si dhe në disa fshatra si Grizhë, Grudë-fushë, Gruemirë etj., dhe vaset që ai jepte, ishin të planifikuara sipas një grafiku nga kryemyftinia e Shkodrës.

Shpesh herë në shërbesat fetare që bënte Hafiz Aliu nëpër fshatrat e ndryshëm të besimit islam, atë e shoqëronte edhe Hafiz Sali, Efendi Myftinë dhe ata të dy nuk i ndiqnin vetëm besimtarët nga shtresat e varfra të popullsisë së atyre zonave, por edhe ato të shtresave të pasura dhe kryesisht intelektualët. Tek ato shtresa shoqërore, Hafiz Aliu gëzonte një popullaritet të madh me respekt e simpati, sepse ata shihnin tek ai hoxhë, një personalitet tepër të aftë për t’i shërbyer islamit dhe atdheut të tij, me të gjithë kapacitetet e tija. Kjo vërtetohet edhe me faktin shumë kuptimplotë, që ka të bëjë me propozimin që iu bë Hafiz Aliut nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë me qendër në Tiranë, i cili kërkoi ta emëronte atë në postin e Myftiut të Durrësit dhe gjithashtu të drejtonte revistën “Zani i Naltë”. Por me gjithë dashamirësinë e Komunitetit Mysliman, Hafiz Ali Tari, nuk pranoi që të shërbente në ato detyra që i’u ngarkuan, pasi ai i kishte vënë vetes si qëllim që të shërbente dhe të jepte kontributin e tij maksimal, aty ku feja e atdheu kishin më shumë nevojë”, shprehet studiuesi Bushati, lidhur me fillimet e para të Hafiz Aliut në shërbesat fetare që i mbante në qytetin dhe fshatrat e Shkodrës.

Kundërshtar i ideologjisë komuniste

Kleriku i besimit islam, Hafiz Ali Tari, ka qenë mjaft i njohur edhe si një nga kundërshtarët më të papajtueshëm të ideologjisë komuniste. Lidhur me këtë, Bushati tregon se: “Hafiz Aliu e njihte mjaft mirë ideologjinë komuniste, që veç të tjerash ishte dhe arm.iku më i madh i besimit islam. Ai dinte t’i parashikonte mjaft mirë pasojat dhe rreziqet që i vinin njerëzimit, prej asaj ideologjie, jo vetëm si besim, por edhe në mbarë popullin. Prandaj për të mbrojtur fenë dhe idealet e larta të atdheut, Hafiz Aliu iu kundërvu hapur ideologjisë komuniste dhe thelbit të asaj filozofie, duke deklaruar se të gjithë ata që ndiqnin atë ideologji të importuar nga stepat e Uraleve, ishin antifetarë dhe antikombëtarë. Ai nuk e luf.toi atë ideologji me sharje dhe ofendime, por duke e shpjeguar islamin si një fe hyjnore që i sillte njerëzimit mirësi, dashuri, respekt, progres e prosperitet.

Dhe e gjitha ajo nuk kishte asgjë të përbashkët  me ideologjitë ç’njerëzore siç ishte ajo komuniste, të shpikura dhe të trilluara, nga njerëz të ndryshëm që ishin kundër besimit tek i madhi zot. Këtë propagandë dhe veprimtari bindëse, ai e bënte jo vetëm gjatë kontakteve me popullin në shërbesat e ndryshme fetare, por edhe në bisedat e lira në xhami, në shtëpia etj., ku fjala e tij depërtonte në të gjitha rrethet shoqërore. Në vitin 1934, Hafiz Aliu botoi studimin e tij “A duhet feja, a e pengon bashkimin kombëtar”, të cilin e botoi në shtypshkronjën “Ora e Shkodrës”. Në parathënien e atij libri, në mes të tjerash Hafiz Ali Tari ka shkruar: “Me anë të këtij botimi, lus vëllaznit myslimanë të mos gënjehen nga fjalët e bukura të asaj pjese intelektualësh, pse qëllimi i tyre është me dobsue konviksionin dogmatik në shpirtin e fitoreve, që nuk janë të bazueme si thamë ma sipër në shkencë e filozofi dhe përfundon duke thënë: ‘Këtë parathënie të shkurtër po e mbylli tue iu lutë të Madhit Perëndi, me e ruajt popullin shqiptar, prej ateizmit që është një humnerë e rrezikshme për komb e atdhe”.

Krahas atij libri ai botoi edhe një sërë artikujsh të tjerë fetarë në shtypin islam të asaj kohe, si “Zani i Naltë” etj. Duke pasur parasysh kohën dhe momentet e daljes së atij libri, vëmë re se ai është prezantuar, si në mënyrën teologjike ashtu dhe atë filozofike. Në atë libër ai argumenton në mënyrë bindëse domosdoshmërinë e fesë, besimin tek i madhi zot dhe përcakton rolin absolut të fesë për bashkimin kombëtar. Ai mbasi bënte analiza të sakta mbi fatkeqësitë e mëdha që sillte doktrina komuniste, jepte dhe konkluzionet e rrugët nëpër të cilat duhet kalohet, për të shpëtuar nga ajo murtajë”, shprehet studiuesi Bushati lidhur me luf.tën që bënte Hafiz Ali Tari kundër ideologjisë komuniste. Përveç shumë klerikëve të njohur, Hafiz Aliu kishte miqësi të ngushtë dhe me shumë intelektualë të tjerë, jashtë sferave fetare si Hamdi Bushati, Sheuqet Muka, Hamit Gjylbegu, etj., me të cilët ai kalonte orë të tëra në biseda intelektualësh, që nuk u linin gjë mangët atyre të elitës europiane. Kështu në broshurën “Kunora e lumnis, caku i filozofisë” (Shkodër 1931) Hamit Gjylbegu i kushtoi Hafiz Aliut, vjershën e shkurtër të titulluar: “Tingëllimi i mordës”, me kushtimin: “Teologut të ri dhe mikut të vjetër, të përndritshëm Hafiz Ali Krajës”.

Në burgjet komuniste

Edhe pas ardhjes së komunistëve në pushtet, Hafiz Ali Tari nuk e pushoi luf.tën propagandistike kundër tyre. Kështu komunistët nuk ia harruan Hafiz Aliut, fjalimet që ai kishte mbajtur në Kinemanë “Rozafat” kundër rrezikut që vinte prej ideologjisë komuniste dhe sidomos atë që ai kishte mbajtur në Besëlidhjen e krerëve të Shqipërisë së Veriut. Nisur nga ky fakt, që në vitet e para të pasluf.tës, ai u arrestua prej Sigurimit të Shtetit dhe përfundoi në burgun famëkeq të Burrelit. Lidhur me respektin e madh që gëzonte Hafiz Aliu, nga të dënuarit politikë gjatë kohës së burgut, Caf Jonuzi, një nga bashkëvuajtësit e tij shkodranë, dëshmon: “Unë pata rastin apo fatin që me të përndritshmin Hafiz Ali Kraja të jetoj si bashkëvuajtës në burgun Nr.5, në Tiranë në vitet 1955-‘56 që për mua ma shumë se burg, ato vite i konsideroj si universitet.

Asokohe në atë burg skëterrë, kishte një kontingjent të madh intelektualësh, që ishin diplomuar në universitetet ma prestigjioze të Perëndimit, si në Kembrixh, Oksford etj. Në ato ambiente burgu, Hafiz Ali Kraja, jo vetëm gëzonte një nderim dhe respekt absolut, por vlerësohej si një ndër figurat ma të spikatura të atdhetarizmit, fesë dhe kulturës Shqiptare”, kujton Caf Jonuzi lidhur me respektin e madh që gëzonte Hafiz Aliu kur vunate dënimin në burgjet komuniste. Një nga të dënuarit e tjerë politikë, Padër Konrad Gjolaj, në librin e tij “Çinarët” lidhur me Hafiz Aliun, në mes të tjerash ka shkruar: “Hafiz Ali Tari ishte një njeri i madh për kohën… ishte pa dyshim ndër hoxhët ma të kulturuem që kam pas rastin me njoftë, për mos me than ma i dituni. Studimet teologjike i kishte mbarue në Kajro të Egjiptit dhe kujtohej shpesh fjala e tij me rastin e vd.ekjes së Fishtës. Një fetar i mirë si Ali Tari, kurrë nuk mundet me qenë fanatik”. Pas daljes nga burgu i parë, Hafiz Ali Tari, vazhdoi pasionin e tij të vjetër studimet dhe mbante kontakte me miqtë e tij të një rrethi të ngushtë, si me Hamit Bushatin e Sheuqet Mukën.

Por ai nuk qëndroi shumë kohë jashtë hekurave, sepse në kuadrin e luf.tës që ndërmorën komunistët kundër fesë, në shkurtin e vitit 1967, ai u arrestua përsëri. Lidhur me këtë, Nexhmi Bushati rrëfen: “6 shkurti i vitit 1967 i shkaktoi traumën dhe shkatërrimin e dytë Hafiz Ali Tarit, mbasi atij iu sekuestrua e gjithë biblioteka, ku kishte thesarin e diturisë hyjnore, filozofike dhe shkencore. Ajo bibliotekë që dispononte ai, ishte blerë në Kajro me një vlerë prej 700 napolona ar, saqë kur ishte në burgun e parë, ai porosite shpesh të shoqen e tij, Zenepen, duke i thënë që ta ruante fort atë që të mos dëmtohej nga mungesa e tij”. Pas daljes nga burgu ku ai vuajti për 20 vite, Hafiz Aliu nuk pati fatin të jetonte shumë gjatë dhe u nda nga jeta në vitin 1974, por emri, jeta dhe vepra e tij, ka mbetur e gjallë në kujtimin e qytetit të Shkodrës.

Fjala e Hafiz Ali Krajës mbi varrin e Fishtës

“Poet Kombëtar, Patër Gjergj! Kur nji orator, tue dasht me folë mbi veprat Tueja, rrin shtag, hutohet, pse jan shum, janë të mëdha edhe të madhënueshme, aq sa është e vështirë me caktue se mbi të cilën aso veprash duhet të flitet. Vepra Yte o Poet, ka për të formue një faqe të shkëlqyeshme në historinë politike të kombit shqiptar, pse me aktivitetin, qi ke zhvillue ndër konferencat politike ndërkombëtare, nuk ke tjetër veçse me i sigurue kombit t’onë të drejta që ai ka jetike e si ma i vjetri komb në Ballkan. Shkrimtarët e ardhshëm të historisë shqiptare jetën politke tanden do ta gjykojnë në bazë të ”Lahutës së Malcisë” Kryevepra jote monumentale. Të jesh i bindun, o Poet i Madh, se Shqyptari me “Lahutën e Malcisë” ka për të qenë gjithmonë kryenaltë si janë Helenët me Iliadën e Persjanët me Shahnamen, mbasi Ti, me atë vepër të naltë i ke njoftue botës së qytetnueme psihikën e karakteristikat ma të ndjeshmet e popullit shqiptar.

Sot, djelmnia intelektuale me Lahutën Tande në dorë të nep besën shqiptare, tue, t’u betue se idealin Tand të naltë që shprehe për kombësin shqyptar, do ta ruejm e do ta mbajnë si gja të shtrenjtë morale. Gjithashtu edhe populli mbarë, i fushavet e i malevet, anë e kand në Shqypni sot të nep besën se lahuta e jote në shpirtin e tyne do të sundojë sa të jenë stinë e mote. Trima, gra, djelm e varza me fjalën shqiptare të napin besën, se vëllaznimin kombëtar, qi Ti çfaqe në Lahutën, do ta mbajnë me forcën ma të madhe. Mbreti Perandor e Duçja i Fashizmit, e çmuene vlerën e madhe tanden, tue t’emnue anëtar të Akademis ma të naltë të Perandorisë romane. Me këtë rast ti u njofte një personalitet botnuer, u bane shoq me Markezin e vehtje tjera të botës kulturale, veçanërisht t’Evropës Oksidentale. Me ty, Patër Gjergj, Kombi shqyptar mburret, naltësohet edhe madhënohet para popujve të tjerë, prandaj sot krejt populli shqiptar të përulet, djelmnia intelektuale vajton humbjen Tande e me lot ndër faqe të përcjell me mallënjim e dhimbje në jetën e pas sotme”./Memorie.al

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy