Komisioni i Venecias ka dalë me një raport të zgjeruar mbi pasojat që sjell paraburgimi i kryebashkiakëve në funksionimin e demokracisë vendore, një dokument që në sfond ka situatën në Turqi dhe burgosjen e kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoğlu, së bashku me dhjetëra drejtues të tjerë vendor.
Raporti, i miratuar në sesionin plenar të tetorit 2025, është zyrtarisht “jo specifik për një vend të vetëm”, por vetë Komisioni pranon se kërkesa erdhi nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, pas një vale shkarkimesh, arrestimesh dhe zëvendësimesh me administratorë të emëruar nga qeveria në bashkitë e Turqisë.
Sipas të dhënave të paraqitura nga Kongresi, pas zgjedhjeve vendore të vitit 2024, të paktën 26 kryebashkiakë të opozitës – mes tyre edhe drejtues të metropoleve si Stambolli, Antalia dhe Adana – janë arrestuar me akuza korrupsioni dhe terrorizmi, janë pezulluar nga detyra dhe janë zëvendësuar nga të emëruar nga qeveria. Sipas raportit, rreth 4 milionë qytetarë turq jetojnë sot në bashki që nuk drejtohen nga kryebashkiaku që kanë votuar, por nga administratorë të dërguar nga Ankaraja.
Komisioni i Venecias e cilëson paraburgimin e kryebashkiakëve opozitarë si një goditje të dyfishtë: ndaj të drejtave të individit të zgjedhur dhe ndaj të drejtave të vetë votuesve. Kur kryebashkiaku mbahet me muaj apo vite në burg pa vendim të formës së prerë, thuhet në raport, “ndërpritet marrëdhënia zgjedhore mes qytetarëve dhe përfaqësuesit të tyre”. Qytetarët humbasin mundësinë ta mbajnë përgjegjës përmes mekanizmave demokratikë, ndërsa bashkia drejtohet nga dikush që ata nuk e kanë zgjedhur.
Duke analizuar praktikat në mbi 30 vende, Komisioni arrin në disa konkluzione që prekin direkt modelin turk. Së pari, shumica e shteteve europiane lejojnë pezullimin e përkohshëm të një kryetari bashkie që është nën hetim penal, por kjo bëhet me një sërë kushtesh strikte: bazë të qartë ligjore, përcaktim të veprave për të cilat mund të pezullohet, vendim nga gjykata dhe jo nga politika, afate të qarta, të drejtë ankimi, të drejtë për t’u dëgjuar dhe detyrim për arsyetim të vendimit. Pezullimi, thekson Komisioni, duhet të jetë masë e jashtëzakonshme dhe gjithmonë e testuar sipas proporcionalitetit.
Së dyti, Komisioni fut në shënjestër zëvendësimin me administratorë të emëruar nga qeveria. Kjo formë, e aplikuar masivisht në Turqi gjatë viteve të fundit, cilësohet “modeli më problematik” në raport me Kartën Europiane të Vetëqeverisjes Vendore. Sipas Komisionit, zëvendësimi i një kryebashkiaku të zgjedhur me një person të dërguar nga qendra “e zhbën vullnetin e elektoratit dhe e shkëput krejt lidhjen midis komunitetit lokal dhe drejtuesit të bashkisë”.
Raporti nënvizon se lokale-t nuk janë “degë” të qeverisë qendrore, por institucione të zgjedhura që gëzojnë autonomi dhe që përgjigjen para qytetarëve, jo para ministrive. Praktika e zëvendësimit masiv të kryebashkiakëve opozitarë me të emëruar politikë nga qeveria, nëpërmjet dekretit apo ligjeve emergjente, shihet si një shkelje e drejtpërdrejtë e frymës së Kartës së Strasburgut për vetëqeverisjen vendore.
Sa i përket vetë paraburgimit, Komisioni kujton standardet europiane: duhet të jetë masë e fundit, e justifikuar me arsye konkrete dhe e rishikuar vazhdimisht. Në rastin e të zgjedhurve vendorë, këto kërkesa marrin “peshë të shumëfishtë”, sepse nga një vendim penal i gjykatës – që zgjatet në kohë – varet jo vetëm liria e një individi, por funksionimi i demokracisë vendore për qindra mijëra zgjedhës.
Në fund të raportit, Komisioni i Venecias i bën thirrje shteteve – mes rreshtave, Turqisë – që rregullat për pezullimin dhe zëvendësimin e kryebashkiakëve të rishikohen në përputhje me standardet europiane. Zgjidhja më demokratike, sidomos kur ka heqje të përhershme apo pezullim shumë të gjatë, mbetet përsëritja e zgjedhjeve dhe kthimi te vota e qytetarëve. Zëvendësimi me të emëruar nga qeveria, pa garanci strikte dhe pa afate, shihet si rruga më e shkurtër për të shkatërruar besimin te kutia e votimit dhe për ta kthyer pushtetin lokal në një instrument të ekzekutivit qendror.
Në këtë sfond, rasti i burgosjes së kryebashkiakut të Stambollit nuk shihet vetëm si çështje penale, por si një provë e madhe politike për mënyrën se si një shtet trajton vullnetin e qytetarëve kur ai shprehet kundër shumicës në pushtet. Komisioni i Venecias ka zgjedhur të mos bëjë një opinion të drejtpërdrejtë për Turqinë, por mes radhëve të raportit, mesazhi është i qartë: demokracia vendore nuk mund të funksionojë nga qelia, as nga zyrat e emërimit të qeverive./ TemA

