I akuzuari për vrasjen e S.S., Besnik Salihu ka dhënë mbrojtjen para Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke deklaruar se personalisht mendon se akuzohet në këtë rast si rezultat i inatit të fëmijëve të të ndjerit S.S., që i akuzuari i ka treguar gjithë fshatit se familja e tani të ndjerit merren me biznese ilegale. Sipas tij, kanë qenë diku 5 ose 6 persona që kanë marrë pjesë në vrasjen e viktimës.
Në këtë rast, Besnik Salihu akuzohet për vrasjen e S.S., në mars të 2023-ës në Dumnicë të Podujevës dhe për armëmbajtje pa leje, ndërsa Ilaz Salihu akuzohet për ndihmë në kryerjen e vrasjes, raporton “Betimi për Drejësi”.

“Mendimi im lidhur me këtë çështje është inati i fëmijëve të S., pasi që i kam dekonspiru të gjithë familjarët që i kemi të përbashkët dhe gjithë fshatit i kam tregu se është mirë të largohemi nga ta se vetëm të shtinë në lluga ose biznese të ndryshme ilegale dhe të cilat mund të përfundonin në burg ose vrasje”, tha i akuzuari Salihu.
Lidhur me ditën kritike, i akuzuari Salihu tha se prej orës 18:00 ishte ndal rryma, e që e kishte kuptuar se ajo sipas tij ishte ndal “nga vrasësit e të ndjerit S.S”, dhe se gjatë kësaj kohe kishte dalë jashtë shtëpisë të pinte kafe.
Salihu shtoi se me tani të ndjerin prej vitit 2012 nuk ka zhvilluar kontakte dhe se nuk e kanë punuar tokën e tij, duke u mjaftuar me punët e tokës së tyre që kanë si familje.
Gjithashtu, Salihu deklaroi se në ditën kritike, kishte parë se tani i ndjeri kishte ardhë me një veturë, e kishte ndal veturën në fshat dhe kishte vazhduar me shpejtësi rrugës për kufi në këmbë.
Pas tij, sipas Salihut, kishin shkuar tre persona të maskuar dhe se njëri nga ta, ai thotë se kishte pushkë, e që më vonë kishte dëgjuar dy të shtëna armës. Tha se ka parë me sy të tij se si S.S., ishte tërheq nga rrjedha e lumit në pjesën të tokës nga autorët.
Ai theksoi se personat që sipas tij e vranë viktimën, ishin të maskuar andaj nuk ka mundur të vërejë, duke shtuar se distanca mes tyre ishte prej 50 deri 60 metra.
I akuzuari Salihu tha se pas ndodhisë kishte mbajtur roje gjatë natës, pasi që sipas tij, ishte ndjerë i kërcënuar. Ai shtoi se në total kanë qenë diku 5 ose 6 persona që kanë marrë pjesë në vrasjen e të ndjerit.
Po ashtu, i akuzuari theksoi se deklarimin që viktimën e vranë 5-6 persona, nuk e ka treguar gjatë fazës së hetimeve, pasi nuk i është dhënë mundësia.
Pas vrasjes së tani të ndjerit S.S., Salihu tha se familjarë të tij kanë shkuar për ngushëllime, ndërkaq ai vetë personalisht jo.
Më pas, për shkak se gjykatësit kishin të caktuara seanca tjera, kjo seancë u ndërpre dhe se gjykatësi Alban Ajvazi njoftoi se e radhës mbahet në janar.
Sipas aktakuzës, më 26 mars 2023, rreth orës 18:08 minuta, në fshatin Dumincë e Epërme, Komuna e Podujevës, pas një mosmarrëveshjeje mes të akuzuarit Besnik Salihu dhe tani të ndjerit S.S., i akuzuari në mënyrë dinake dhe papritur iu afrua të ndjerit S.S. me qëllim që t’i merrte jetën.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari kishte shtënë me armë zjarri, duke qëlluar dy herë në kokë tani të ndjerin S.S- një herë me pistoletë në anën e majtë të kokës dhe një herë me armë të gjatë nën mjekër, duke i shkaktuar gjakderdhje masive të jashtme trunore, dhe për shkak të plagëve të marra nga predhat e shkrepura në kokë, tani i ndjeri S.S. ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, ku më pas i akuzuari Besnik largohet nga vendi i ngjarjes.
Me këto veprime, i pandehuri Besnik Salihu ka kryer veprën penale të “Vrasjes e rëndë”, sipas nenit 173, paragrafi 1, pika 14 e KPRK-së.
Tutje, në aktakuzë thotë se i pandehuri Besnik, në datën, kohën dhe vendin e përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj akuze, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin për armët, ka poseduar një revole dhe një armë të gjatë, me të cilën ka kryer veprën penale të përmendur si më lart.
I njëjti ngarkohet edhe për kryerjen veprën penale “Mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas nenit 366, paragrafi 1 të KPRK-së.
Gjithashtu, në aktakuzës thuhet se i pandehuri Ilaz Salihu, në vendin, kohën dhe mënyrën e përshkruar në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, me dashje ndihmoi vëllain e tij, të akuzuarin Besnik, duke i premtuar se do të fshehë provat e kryerjes së veprës penale.
Me këtë, i pandehuri Ilaz Salihu ka kryer veprën penale të “Ndihmës në vrasjen e rëndë”, sipas nenit 173, paragrafi 1, pika 14, lidhur me nenin 3 të KPRK-së./BetimipërDrejtësi

