Ministrat e Jashtëm të NATO-s do të kenë vetëm një temë diskutimi sot: bisedimet e zhvilluara gjatë natës midis amerikanëve dhe rusëve në Moskë për dhënien fund të luftës në Ukrainë.
Si duhen vlerësuar rezultatet, cilat janë pasojat dhe a janë përmirësuar shanset për t’i dhënë fund luftës?
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, nuk do të jetë në Bruksel. Si arsye u përmendën angazhimet e shumta. Për mungesën e Rubios, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, shprehu mirëkuptim. “Jam në kontakt të vazhdueshëm me të; ai po punon shumë fort dhe ka shumë konflikte mbi tryezë, jo vetëm atë në Ukrainë”, tha holandezi Rutte. “E kuptoj plotësisht mungesën e tij dhe nuk do të interpretoja shumë këtu.”
Zelenski: Shans për të përfunduar luftën
Ministrat e Jashtëm të NATO-s do të analizojnë sot ato pak informacione që dolën nga Kremlini gjatë natës. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rutte, e kishte përshkruar rezultatin si “të pasigurt”përpara se të fillonin bisedimet. Tani ai mund të marrë frymë lirisht; nuk pati ndonjë incident të madh në Moskë dhe bisedimet përshkruhen si produktive. Edhe pse me sa duket kishte ende shumë pika mosmarrëveshjeje. “Nuk ka pasur kurrë një shans të tillë për t’i dhënë fund luftës”, deklaroi më pas Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski.
Ministrat e Jashtëm të NATO-s do duhet të diskutojnë mbi garancitë e sigurisë, mbështetjen e mëtejshme për Ukrainën dhe një anëtarësim të munshëm që duket se është shumë i largët, edhe pse brenda vendeve të NATO-s nuk ka unanimitet lidhur me këtë çështje.
Por edhe nëse një shkëndijë e parë shprese është shfaqur tani, lufta vazhdon në Ukrainë vazhdon. Shumë shtete të NATO-s ende ndihen të kërcënuara nga provokimet ruse. Dronët vazhdojnë të shfaqen mbi aeroporte, mbi Detin Baltik dhe pranë bazave të NATO-s.
Vendet e NATO-s do të vazhdojnë programin e tyre të riarmatimit. Pesë përqind e prodhimit të tyre ekonomik do të investohet në mbrojtje vitet e ardhshme. Përpara bisedimeve të tij me delegacionin amerikan, presidenti rus kishte kërcënuar, se nëse Evropa do të donte të hyjë në luftë me të, ai do të ishte gati./ DW

