Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Europian kanë arritur një marrëveshje për rregulloren që parashikon eliminimin gradual të importeve të gazit natyror nga Rusia.
Rregullorja vendos një ndalim juridikisht të detyrueshëm për importet e gazit natyror të lëngshëm (GNL) dhe të gazit përmes gazsjellësve, me një ndalim total që do të hyjë në fuqi përkatësisht në fund të vitit 2026 për GNL-në dhe nga vjeshta e vitit 2027 për gazin e tubacioneve.
Marrëveshja duhet ende të ratifikohet nga të 27 vendet anëtare dhe nga seanca plenare e Parlamentit Europian.
“Më në fund, dhe përgjithmonë, po e mbyllim rubinetin e gazit rus. Nuk do të kthehemi kurrë më te varësia jonë e rrezikshme nga Rusia”, deklaroi komisioneri europian Dan Jorgensen.
Ndalimi do të zbatohet gjashtë javë pas hyrjes në fuqi të rregullores, me një qasje graduale në shuarjen e kontratave ekzistuese.
Afatet për ndërprerjen e kontratave
Kontratat afatshkurtra të nënshkruara para 17 qershorit 2025 duhet të ndërpriten më 25 prill 2026 për GNL-në dhe më 17 qershor 2026 për gazin nga gazsjellësit.
Kontratat afatgjata të GNL-së do t’i nënshtrohen ndalimit më 1 janar 2027, në përputhje me sanksionet e paketës së 19-të kundër Rusisë.
Kontratat afatgjata të gazit të tubacioneve do të ndalohen nga 30 shtatori 2027, me kusht që vendet anëtare të përmbushin objektivat e mbushjes së rezervave të gazit. Afati më i vonshëm i mundshëm është 1 nëntor 2027.
Sipas rregullores, shtetet anëtare do të duhet të paraqesin plane kombëtare të diversifikimit, duke përcaktuar hapat për ndërprerjen e energjisë ruse. Parashikohet gjithashtu një sistem autorizimi paraprak për importet e gazit, si rus, ashtu edhe jo rus, për të siguruar zbatimin korrekt të ndalimit.
Aktualisht, Sllovakia dhe Hungaria janë të vetmet vende të BE-së që vazhdojnë të importojnë naftë ruse, e cila përbën rreth 80% të importeve të tyre gjithsej të naftës së papërpunuar.
Marrëveshja përfshin sanksione për vendet që nuk respektojnë ndalimin, si dhe një klauzolë pezullimi në rast të një “kërcënimi për sigurinë e furnizimit energjetik” të një ose më shumë shteteve anëtare. Rregullorja do të rishikohet brenda dy vitesh nga hyrja e saj në fuqi.
“Sot është një ditë historike për Bashkimin Europian: shumë mendonin se nuk do të ishte e mundur, por ja që ndodhi. E kam ditur gjithmonë se do t’ia dilnim. Tani jemi gati të hapim bashkëpunime me partnerë të rinj e të besueshëm. Ky është vetëm fillimi i një suksesi të vërtetë europian”, deklaroi presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen

