Juristja e medias, Flutura Kusari ia ka bërë të qartë anëtarit të KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Sami Kurteshit se Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) nuk është aleancë e grupeve kriminale por një organizatë e fuqishme, profesionale dhe me reputacion të jashtëzakonshëm ndërkombëtar në mbrojtjen e gazetarëve.
Po ashtu ia thekson se gazetarët nuk janë vrasës me pagesë siç akuzon ai në një shkrim të tij.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës nuk është aleancë e grupeve kriminale, por një organizatë e fuqishme, profesionale dhe me reputacion të jashtëzakonshëm ndërkombëtar në mbrojtjen e gazetarëve. Gazetarët nuk janë vrasës me pagesë; ata janë njerëz që e kanë për obligim t’i kërkojnë pushtetit llogari. Ehat Miftaraj dhe IKD-ja nuk e dëmtojnë vendin, por i shërbejnë atij. Ndërkohë, VV është një parti e specializuar në ngacmimin, denigrimin dhe nxitjen e urrejtjes ndaj aktivistëve, gazetarëve dhe mediave. I lus të gjithë ata që i përcjellin mediat të mos bien pre e strategjisë së VV-së për t’i portretizuar mediat dhe aktivistët si armiqtë e shtetit tonë”, ka shkruar Kusari.

