Haki Abazi: Moscertifikimi i Listës Serbe është taktikë e VV-së; Kurti po e dëmton veten dhe Kosovën ndërkombëtarisht

by informim peje

Moscertifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025, anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Haki Abazi, po e konsideron si një taktikë të Lëvizjes Vetëvendosje. Ai theksoi se edhe vetë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e di që nuk ka bazë ligjore për ta ndaluar certifikimin e kësaj liste.

Abazi, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se në këtë mënyrë Kurti “po ia bën gropën vetes, por edhe Kosovës, në arenën ndërkombëtare”, duke marrë shkas nga reagimet e ambasadorëve, për të cilat, sipas tij, LVV ka heshtur.

banner

“Tani, si taktikë e Lëvizjes Vetëvendosje, kjo është e njohur; nuk është gjë e re që është krijuar aty. Ju e patë edhe reagimin e ambasadës së SHBA-së, edhe atë të ambasadës së Britanisë. Unë nuk e kuptoj fare pse është duke e thelluar gropën në të cilën ka hyrë Kurti nëpërmjet këtyre taktikave, sikur të ishte një taktikë krejtësisht populiste-elektorale. Duhet ta konsiderojë popullin vërtet naiv që të mos e kuptojë, por populli e ka kuptuar se nuk bëhen këto shantazhe ndaj institucioneve të shtetit. Nuk është më çështja ndaj Listës Serbe – gjithë Kosova e di kush është Lista Serbe – por, në anën tjetër, ne jemi një shtet që duhet të veprojë sipas ligjit dhe vendimeve ligjore. Deri më tani nuk ka bazë ligjore mbi të cilën mund të thirret çfarëdo lloj ndalese e Listës Serbe, por e dimë që ajo do të certifikohet në instanca të tjera, sikurse ka ndodhur edhe herën e kaluar. Është një gropim i vetvetes që po ia bën Kurti vetes, bashkësisë ndërkombëtare dhe para votuesve të vendit, sepse po i konsideron naivë dhe sikur nuk e kuptojnë realitetin që jemi duke e jetuar. Mendoj që këto veprime të Kurtit janë arsyeja pse ai është zvogëluar dhe do të shkojë drejt zvogëlimit edhe më tutje, sepse partitë tjera kanë treguar sinqeritet duke abstenuar, por në fakt e kuptojnë drejt se veprimi sipas ligjit është mënyra për të ndërtuar një shtet serioz para partnerëve ndërkombëtarë”, tha Abazi.

Ai shtoi se LVV e kishte pasur shansin për ta krijuar mundësinë ligjore që Lista Serbe të mos certifikohet.
“Sipas meje, duhet të zbatohet ligji. Cilido subjekt politik që i plotëson kriteret sipas ligjit dhe Kushtetutës së Republikës ka të drejtë të marrë pjesë në garën zgjedhore. Dhe nëse ka problem, atëherë ligji duhet të veprojë. Lëvizja Vetëvendosje e ka pasur shansin të ngrejë aktakuza për veprat që pretendojnë se anëtarët e Listës Serbe kanë kryer, për të arritur deri te një përfundim ligjor. Por partitë politike nuk mund ta bëjnë as ligjin e as gjykatën – kjo është një përzierje e kompetencave dhe shkelje e ndarjes së pushteteve. Nuk ka përgjigje më të qartë sesa ligji dhe zbatimi i plotë i tij ndaj të gjitha subjekteve politike”, shtoi Abazi.

Në mbledhjen e KQZ-së më 2 nëntor, Lista Serbe nuk është certifikuar, gjë që ka nxitur reagime të ndërkombëtarëve. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë në një postim në Facebook se përpjekjet e saj për të bllokuar certifikimin e Listës Serbe “janë shkurtpamëse dhe përçarëse”.

Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë nënvizoi se politizimi i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë e tjera politike është i dëmshëm për procesin zgjedhor gjithëpërfshirës.

Shqetësime shprehu edhe ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
“Veprime të tilla rrezikojnë të minojnë reputacionin e fituar me vështirësi të Kosovës si një demokraci shumetnike dhe të dëmtojnë marrëdhëniet me partnerët e saj të ngushtë”, shkroi ai në Facebook.

Ndërsa Ambasada e Gjermanisë shprehu keqardhjen për sjelljen penguese të disa anëtarëve të KQZ-së, duke theksuar se “procesi zgjedhor dhe përgatitjet teknike për zgjedhjet duhet të jenë të lira nga manovrimet politike të aktorëve politikë”.

Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, në një konferencë për media, tha se kjo parti ka paraqitur ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe se pret që t’i kërkohet KQZ-së që ta certifikojë për zgjedhjet e 28 dhjetorit./eo

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy