Oda Ekonomike e Kosovës ka dorëzuar kallëzim penal ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), pasi vendimi i muajit nëntor nga Gjykata Supreme për tregun e hapur energjetik u interpretua në mënyra të ndryshme nga palët. Supremja kishte aprovuar padinë e Odës, duke konstatuar se ZRRE ka shkelur ligjin me vendimin që nxori mbi 1300 biznese në tregun e hapur, si dhe kishte shfuqizuar dy nene të atij vendimi.
Pas kësaj, Oda Ekonomike kërkoi anulimin e plotë të tregut të hapur energjetik, ndërsa ZRRE deklaroi se do të rishikojë gjetjet e Supremes dhe do të bëjë ndryshimet e kërkuara, pa ndërprerë funksionimin e tregut. Këtë interpretim Oda nuk e pranoi, duke e çuar çështjen në kallëzim penal.
“Kemi dhënë 5 ditë afat për reflektim. Për shkak të mosreagimit, ne jemi detyruar të ndërmarrim kallëzim penal. Bizneset janë dëmtuar rëndë, dhe ne nuk jemi fajtorë për mungesën e përgatitjes së konkurrencës dhe infrastrukturës ligjore për tregun e lirë,” deklaroi kryetari i Odës, Lulzim Rafuna, për RTV21.
Në vendimin e saj, Gjykata Supreme vlerësoi se vendimi i ZRRE-së ka krijuar pasiguri të madhe ligjore dhe ekonomike tek konsumatorët. Po ashtu, u konstatuan shkelje në kategorizimin e bizneseve që u nxorën në tregun e hapur. ZRRE nuk ka dhënë përgjigje se si do të veprojë pas kallëzimit penal, ndërsa bizneset vazhdojnë të raportojnë për dëmet e shkaktuara.
Nehat Geci, pronar i një fabrike të tjegullave, ka thënë se fatura shumë më të larta dhe konkurrenca nga importi, sidomos nga Serbia, kanë dëmtuar rëndë prodhimin vendor. “Jemi të goditur në dy drejtime: faturat e larta dhe importi i lirë nga Serbia,” tha ai.
Rafuna ndërkohë është shprehur i bindur se bizneset do të kompensohen për dëmet: “ZRRE ka futur veten në një proces kaotik që po dëmton edhe buxhetin e shtetit. Të gjitha paditë do të kthehen në kosto shtesë për vendin.”
Tregu i hapur energjetik hyri në fuqi më 1 qershor, pavarësisht kundërshtimeve të shumta. Ekspertët e ekonomisë e kanë cilësuar këtë vendim si njërin nga goditjet më të rënda ndaj bizneseve vendore që nga paslufta, duke bërë që prodhimi vendor të humbasë konkurrueshmërinë ndaj importit.

