Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është nominuar sot kandidat për kryeministër dhe bartës liste për zgjedhjet e përgjithshme të 28 dhjetorit. Vendimi është marrë nga Këshilli i Përgjithshëm i AAK-së, i cili njëkohësisht ka miratuar edhe listën me 110 kandidatë për deputetë, të përzgjedhur sipas parimit të përfaqësimit rajonal, profesional dhe gjinor.
Haradinaj, duke njoftuar vendimin përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se Aleanca ka miratuar po ashtu programin zgjedhor, të ndërtuar mbi tri shtylla kyçe: qëndrueshmëria dhe trashëgimia, mirëqenia dhe zhvillimi ekonomik, si dhe siguria dhe integrimi euro-atlantik. Sipas tij, kombinimi i lidershipit të guximshëm, listës gjithpërfshirëse dhe programit ekonomik e përbën bazën e ofertës së AAK-së për këto zgjedhje.
Në program parashihet rritje ekonomike ambicioze, prej 7% në baza vjetore, si dhe ngritje e GDP-së nga 12 në 14 miliardë euro gjatë mandatit. Po ashtu, buxheti i shtetit synohet të zgjerohet nga 3.3 miliardë euro sa ishte në vitin 2025, në 4 miliardë në 2026, për të arritur 6.1 miliardë euro në vitin e fundit të mandatit.
Haradinaj ka theksuar se politika e propozuar buxhetore do të garantojë stabilitet financiar dhe rritje të dukshme të pensioneve dhe pagave. Që nga viti 2026, ato parashihet të rriten për 31% në vlerë nominale, duke arritur mesataren prej 1,100 eurosh për pagë dhe 500 eurosh për pension, varësisht kategorisë. Tutje, pagat dhe pensionet do të indeksuara çdo vit sipas zhvillimit ekonomik dhe inflacionit.
Një vend të veçantë në program zë shtimi i investimeve kapitale, të cilat AAK-ja synon t’i rrisë mesatarisht për 61% në vitin e parë të mandatit, për të arritur deri në 240% deri në vitin 2029.
Aleanca hyn në zgjedhje me sloganin “Krah Teje”, që sipas Haradinajt përfaqëson angazhimin për rikthim të normalitetit, zhvillim dhe mirëqenie, forcim të sigurisë dhe integrim euro-atlantik. Ai ka theksuar se prioritet mbetet rikthimi i partneritetit strategjik me SHBA-në dhe aleatët tjerë perëndimorë, si dhe avancimi i proceseve për anëtarësim në NATO dhe BE.
“Krah Teje për Kosovën tonë të përbashkët. Na priftë e mbara!”, ka përfunduar Haradinaj.

