Gjiganti gjerman i automjeteve Volkswagen do të mbyllë një fabrikë prodhimi në Gjermani për herë të parë në historinë e tij 88-vjeçare, si pjesë e një ristrukturimi të thellë përballë sfidave globale të tregut.
Në vitin 2024, Volkswagen arriti një marrëveshje me këshillin e punës dhe sindikatat për të shkurtuar rreth 35.000 vende pune dhe për të reduktuar kapacitetin prodhues në Gjermani. Vendimi erdhi si pasojë e konkurrencës së fortë nga prodhuesit kinezë, rënies së kërkesës në tregun evropian dhe përhapjes më të ngadaltë se sa ishte parashikuar të automjeteve elektrike.
Si pjesë e kësaj marrëveshjeje, prodhimi i automjeteve në fabrikën e Dresdenit, kryeqytet i landit gjerman Saksoni, do të ndërpritet plotësisht deri në fund të këtij viti. Ndërprerja e prodhimit, e cila nis këtë javë, shënon herën e parë që Volkswagen mbyll një strukturë prodhimi brenda Gjermanisë.
Mbyllja e fabrikës vjen në një periudhë presioni financiar për kompaninë, e cila është përballur me shitje të dobëta në Kinë, kërkesë të ulët në Evropë dhe presion shtesë në tregun amerikan për shkak të tarifave. Ndërkohë, Volkswagen duhet të financojë investime prej rreth 160 miliardë eurosh gjatë pesë viteve të ardhshme.
Fabrika e Dresdenit, e hapur në vitin 2002, ka prodhuar më pak se 200.000 automjete gjatë gjithë funksionimit të saj. Ajo ishte konceptuar si një fabrikë model që demonstronte kapacitetet teknologjike të kompanisë. Fillimisht aty u prodhua modeli Phaeton, e më vonë ID.3, por asnjëri prej tyre nuk arriti sukses të qëndrueshëm tregtar.
Analistët e shohin mbylljen e kësaj fabrike si një hap simbolik, por të domosdoshëm për mbijetesën e Volkswagen-it, në një mjedis të vështirë të karakterizuar nga konkurrenca kineze, tarifat amerikane, burokracia e lartë në Gjermani, kostot e energjisë dhe strukturat e brendshme komplekse.

