Ekspertja gjermane: Kosova ka dëmtuar seriozisht reputacionin ndërkombëtar

by engel

Ekspertja gjermane për Ballkanin, Frauke Seebass, vlerëson se Kosova ka pësuar humbje të ndjeshme të reputacionit të saj ndërkombëtar gjatë vitit të fundit, ndërsa paralajmëron se zgjedhjet e reja nuk garantojnë domosdoshmërisht zhbllokimin e krizës politike.

Në një intervistë për Deutsche Welle, Seebass thotë se gjithçka do të varet nga rezultati i zgjedhjeve, duke theksuar se një skenar i ngjashëm me zgjedhjet e shkurtit mund të çojë sërish në bllokim institucional. Sipas saj, edhe pse Vetëvendosje synon të qeverisë e vetme ose me mbështetjen e pakicave, mundësitë për formimin e një qeverie stabile mbeten të pasigurta për shkak të refuzimit të vazhdueshëm të partive opozitare për bashkëpunim me Albin Kurtin.

banner

Ajo e shpjegon këtë refuzim me qasjen pa kompromis të kryeministrit në detyrë, e cila, sipas saj, ka helmuar raportet politike në vend dhe ka mbyllur hapësirat për dialog ndërpartiak. “Nëse Kurti nuk angazhohet në dialog real me partitë e tjera, një bllokim i mëtejshëm është i pashmangshëm,” vlerëson Seebass.

Sa i përket marrëdhënieve ndërkombëtare, ekspertja thekson se kritikat ndaj qeverisë Kurti kanë ardhur edhe nga partnerët perëndimorë, veçanërisht për shkak të veprimeve të njëanshme në veri dhe mungesës së konsultimeve. Ajo nënvizon se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe mbeten kushte kyçe për përparimin e Kosovës drejt integrimit evropian.

Seebass vlerëson se rreziku për funksionalitetin e shtetit nga Asociacioni është i ekzagjeruar, duke theksuar se, në formën e propozuar dhe brenda kornizës kushtetuese, ai mund të shërbejë si mekanizëm për integrimin e serbëve të Kosovës dhe stabilizimin afatgjatë të vendit.

Në fund, ajo thekson se stagnimi i Kosovës në rrugën drejt BE-së është rezultat i kombinimit të qasjes së ashpër të Bashkimit Evropian dhe politikave të qeverisë aktuale. “Veprimet e njëanshme dhe bllokimi politik kanë bërë që edhe partnerë tradicionalë të Kosovës të ndihen të larguar, duke dëmtuar ndjeshëm imazhin ndërkombëtar të vendit,” përfundon Seebass.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy