IDEOLOGJIA QË PËR GJYSËM SHEKULLI PO I ZË FRYMËN KOSOVËS!

by Nexhat

Nga: Ahmet Asani

Fakti që elita politike dhe intelektuale e Kosovës po përgatitej që Kosovën, e cila me ndryshimet kushtetuese të vitit 1974 de jure ishte njësi e federatës, ta shpallte Republikë në mënyrë institucionale dhe legale, nuk i pëlqente aspak as Beogradit rankoviqist e as Tiranës enveriste.

banner

Për ta penguar këtë vijë institucionale dhe njëkohësisht për ta shkatërruar plotësisht elitën intelektuale e politike kombëtare shqiptare në Kosovë, Beogradi dhe Tirana, bashkë me disa bashkëpunëtorë të tyre në Kosovë, kishin krijuar skenarin e kërkesës së Republikës nëpërmjet protestave me frymë anti-Vetëqeverisjes Socialiste, sistem të cilin Enver Hoxha e quante teori dhe praktikë kapitaliste.

Kështu, në bazë të një skenari të përgatitur mirë nga UDB-ja e Serbisë dhe SHIK-u i Shqipërisë, ishin krijuar grupet e para marksiste-leniniste, të cilat per detyre kishin ta bindnin rininë se elita politike dhe intelektuale e Kosovës, në tërësi, ishte tradhtare dhe se Republika e Kosovës nuk duhej kërkuar në mënyrë legale e institucionale, por vetëm në formë ilegale.

Sipas këtyre grupeve marksiste leniniste, Republika e Kosovës duhej të ishte me frymë stalinisto-enveriste, pa prona private dhe pa pronarë pronash, e jo me frymë të vetëqeverisjes “revizioniste”, e cila lejonte pronën private dhe miqësinë me Perëndimin kapitalist dhe Amerikën “imperialiste”.

Kështu, për më shumë se një dekadë, si në vend ashtu edhe në diasporë, si rezultat i këtij skenari, një pjesë e madhe e popullit të Kosovës, kryesisht të rinj dhe punëtorë, nën ndikimin e kësaj fryme, ishte bindur se e vetmja rrugë e drejtë ishte ajo marksiste-leniniste lindore dhe kurrsesi ajo pluralisto-kapitaliste perëndimore!

Njerëzit ishin në gjendje që, për një fjalë kundër kësaj fryme të shihnin si armik. Kush merrte guximin të fliste për reforma, të kërkonte distancim nga PPSH-ja, të kërkonte heqjen e yllit nga flamuri kombëtar dhe pranimin e pluralizmit ai shpallej tradhtar!

Daljen e LDK-së, këto lëvizje të majta të kohës që vepronin në Perëndim e kualifikuan si akt tradhtie, ndërsa Ibrahim Rugova u shpall kryetradhtar; madje, në rrethe të caktuara radikale u artikuluan edhe thirrje për eliminimin e tij fizik.

Lidhja Demokratike e Kosovës u themelua pikërisht si kundërpërgjigje ndaj kësaj fryme stalinisto-enveriste. Ajo lindi si projekt politik me frymë perëndimore, me vizion të qartë të shtetndërtimit të Kosovës përmes pluralizmit, demokracisë dhe aleancës strategjike me SHBA-të dhe Evropën Perëndimore. Pikërisht për këtë arsye, LDK-ja u sulmua ashpër nga lëvizjet marksiste-leniniste të kohës, si në Kosovë ashtu edhe në diasporë.

Siç dihet, LDK-ja mbështeti krijimin e FARK-ut si vazhdimësi e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe si strukturë mbrojtëse nën autoritetin e qeverisë legjitime në ekzil. Meqë FARK-u përfaqësonte konceptin e shtetit, hierarkisë dhe përgjegjësisë institucionale, ai u sabotua dhe u luftua nga po të njëjtat rryma ideologjike që e urrenin LDK-në dhe çdo formë të pluralizmit demokratik.

UÇK , në anën tjetër, e cila drejtohej nga këto lëvizje të majta, me ndihmën e Partisë Socialiste të Shqipërisë, trashëgimtare e drejtpërdrejtë e PPSH-së, kishte marr qëndrim që t’mos e njihte dhe ta luftonte FARK-un sikur të ishte ushtri armike!

Në këtë situatë, për të mos ardhur deri te gjakderdhja, lideri demokrat Ibrahim Rugova kishte marr qëndrim që FARK-u t’i bashkohej UÇK-së. Ky vendim i drejtë dha rezultate në terren, por shumë kuadrove të FARK-ut dhe LDK-së ky bashkim do t’u kushtonte me jetë, sepse e majta kishte projektuar marrjen e pushtetit si e vetme.

Falë angazhimit të një plejade të tërë intelektualësh në vend dhe në diasporë, u arrit të krijohej simpati ndërkombëtare për popullin shqiptar të Kosovës dhe të vihej deri te ndërhyrja e SHBA-ve dhe NATO-s, ndihmë kjo që solli lirinë.

Pas luftës, në vend që të ndodhte një shkëputje e qartë nga trashëgimia marksiste-leniniste, një pjesë e aktorëve të vjetër u ricikluan politikisht. Ata ndryshuan fjalorin, por jo bindjet. Thelbi i së majtës mbeti i njëjtë: marrja e pushtetit dhe armiqësia ndaj LDK-së si forca e parë pluraliste demokratike.

Pas deklarimit të PDK-së nga parti me frymë të majtë në parti të djathtë në vitin 2013, një pjesë e madhe e së majtës me frymë moniste kaloi nga PDK-ja në LVV, lëvizje kjo e cila de facto, që nga themelimi, ishte mbështetur pikërisht nga këta ish-të majtë të PDK-së.

LVV, nga viti 2013 e këndej, e ndikuar nga ish-pjesëtarë të këtyre lëvizjeve te majta të viteve ’80/’90, dhe eksponent te majte te importuar nga Tirana, shihet qarte se synon Kosovën ta shndërrojë në një shtet neo-socialist me frymë populiste dhe autoritare, të ngjashëm me disa modele të dështuara në botë.

Retorika antiamerikane e Albin Kurtit, si kryetar i LVV-së, e kulmuar me akuza absurde ndaj presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, duke e paraqitur atë me thika mbi hartën e Kosovës, tregon qartë se kjo frymë nuk është as rastësi e as gabim, por projekt politik i qëllimshëm.

Kështu, përmes këtyre grupeve dhe lëvizjeve me frymë të ekstremit të majtë, nga grupet e para majtiste te viteve 70-ta, e deri te LVV-ja, shihet qartë ekzistenca e një vije ideologjike të pandërprerë për më shumë se 50 vite, vijë e cila ka punuar dhe vazhdon të punojë kundër projektit të Kosovës si shtet demokratik, pluralist, me orientim pro-perëndimor dhe pro-amerikan.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy