Dyshime për keqpërdorim mbi 1 milion euro: arrestohet ish-drejtori i BKS-së, Sami Mazreku

by engel

Ish-drejtori ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), Sami Mazreku, është arrestuar në kuadër të një aksioni të gjerë policor të zhvilluar me urdhër të Prokurorisë së Prizrenit, nën dyshimet për keqpërdorim të rëndë financiar gjatë kohës sa drejtonte institucionin.

Sipas raportimeve të Insajderit, arrestimi lidhet drejtpërdrejt me hetimet që kanë zbuluar pagesa të pajustifikuara në vlerë mbi 1 milion euro, të realizuara gjatë viteve 2022–2023. Hetimi penal është iniciuar pas gjetjeve të një raporti të Auditimit të Brendshëm të BKS-së, i cili evidenton 166 pagesa të kryera jashtë procedurave standarde ligjore dhe pa u regjistruar në sistemin zyrtar të dëmeve.

banner

Raporti thekson se gjithsej 1,043,284 euro janë shpërndarë për kompensim dëmesh, por në shumicën e rasteve mungojnë dokumentet bazë ligjore, përfshirë raportet e Policisë së Kosovës për aksidentet. Po ashtu, nuk janë gjetur vendime të komisionit të dëmeve, raporte ekspertize apo evidencë përkatëse në databazën e BKS-së që do t’i justifikonin këto pagesa.

Auditimi i ka cilësuar këto shpenzime si “Rrezik i Lartë”, duke vlerësuar se nuk mund të përcaktohet nëse fondet janë përdorur për dëme reale apo për qëllime të tjera, çka ngre dyshime serioze për abuzim financiar dhe shpëlarje parash.

Sipas gjetjeve, mjetet financiare janë shpërndarë tek 43 individë dhe një subjekt juridik, të cilët rezultojnë si përfitues të pagesave pa pasur kërkesa zyrtare të regjistruara në sistemin e BKS-së. Në komentet e përfshira në raportin e auditimit, vetë menaxhmenti i institucionit ka pranuar se Departamenti i Financave nuk ka pranuar urdhërpagesa zyrtare dhe se pagesat janë kryer jashtë mekanizmave të kontrollit të brendshëm.

Raporti dokumenton gjithashtu raste të kompensimeve të dyfishta për të njëjtin aksident, ku janë paguar njëkohësisht pala e dëmtuar dhe kompania e huaj e sigurimit, si dhe ndryshime të pajustifikuara të përgjegjësisë nga 50 në 100 për qind, pa ekspertizë shtesë, duke rritur në mënyrë artificiale vlerën e dëmit.

Si rezultat i këtyre gjetjeve, organet e BKS-së e kanë referuar rastin për hetim penal, ndërsa Banka Qendrore e Kosovës më herët e kishte përjashtuar Sami Mazrekun nga industria e sigurimeve për një periudhë pesëvjeçare.

Burime të Insajderit bëjnë të ditur se Prokuroria e Prizrenit ka gjetur elemente të mjaftueshme për zgjerimin e hetimit, i cili tashmë përfshin rreth 40 persona të dyshuar. Arrestimi i Mazrekut konsiderohet si rezultat i drejtpërdrejtë i këtij procesi hetimor që ka në fokus dyshimet për keqmenaxhim, pagesa të paautorizuara dhe shkelje serioze ligjore brenda Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy