Zjarri në fabrikë nuk e ndal Comodita Home, prodhimi rifillon nga e hëna

by informim peje

Kompania Comodita Home ka njoftuar se nga dita e hënë do të rifillojë procesin e prodhimit, pas zjarrit që përfshiu të enjten një pjesë të fabrikës së saj në Gjakovë.

Në njoftimin për opinionin publik, kompania bën të ditur se zjarri është lokalizuar dhe shuar plotësisht mbrëmjen e kaluar, falë angazhimit të jashtëzakonshëm dhe profesional të njësive të zjarrfikësve, Policisë së Kosovës dhe ekipeve të tjera emergjente.

banner

Sipas Comodita Home, fatmirësisht nuk ka pasur asnjë person të lënduar, as në mesin e punëtorëve të fabrikës dhe as të personelit të angazhuar në operacionin e shuarjes së zjarrit.

Pas vlerësimeve të detajuara teknike, ekipet e inxhinierëve dhe ekspertëve kanë konstatuar se aparaturat e padëmtuara nga zjarri mund të vihen sërish në funksion. Në bazë të këtij vlerësimi profesional, Bordi Drejtues i kompanisë ka vendosur që nga e hëna të rifillojë prodhimi.

Kompania thekson se vendimi është marrë me përgjegjësi të plotë, duke pasur parasysh rëndësinë që vazhdimësia e operimit ka për mijëra familje që varen drejtpërdrejt ose tërthorazi nga Comodita Home, si dhe për partnerët, furnitorët dhe bashkëpunëtorët në vend dhe jashtë tij.

Në njoftim shprehet mirënjohje e veçantë për Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, Kryetarin e Komunës së Gjakovës, drejtorin e Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, si dhe për njësitë e zjarrfikësve nga Gjakova, Peja, Prizreni, Juniku, Deçani dhe Rahoveci.

Po ashtu, Comodita Home falënderon edhe kompanitë private Fidani Beton dhe Doli, të cilat, sipas njoftimit, kanë dhënë kontribut të pazëvendësueshëm me personelin dhe makineritë e tyre në ndaljen e zjarrit.

Comodita Home, pjesë e Devolli Corporation, thekson se rikthimi në operim po ndodh në kohë rekorde, me synim që të vazhdojë të jetë simbol i prodhimeve cilësore “Made in Kosova” dhe të ruajë pa ndërprerje prezencën në tregjet vendore, rajonale dhe ndërkombëtare.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy