Në Gjilan sot fillon manifestimi tradicional “Flaka e Janarit”, që i kushtohet përkujtimit të veprës dhe sakrificës së Rexhep Malës, Nuhi Berishës dhe Kadri Zekës dhe figurave kyçe të rezistencës kombëtare shqiptare.
Njoftimin për fillimin e këtij manifestimi e ka dhënë dhe kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni.
“Sot fillojmë manifestimin tradicional “Flaka e Janarit”, edicioni i 35-të, me shumë aktivitete përkujtimore dhe kulturore në nderim të dëshmorëve tanë. Na u bashkoni në këtë organizim për tri javë, që të ruajmë traditën dhe ta mbajmë gjallë flakën e lirisë dhe të kujtesës”, ka shkruar Hyseni.
Kujtojmë se “Flaka e Janarit” është manifestimi tradicional kulturor e kombëtar që organizohet çdo vit në Gjilan, në muajin janar, në nderim të figurave të shquara të çështjes kombëtare shqiptare: Rexhep Mala, Nuhi Berisha dhe Kadri Zeka, por edhe Jusuf e Bardhosh Gërvlla.
Ky manifestim përkujton sakrificën dhe veprën e tyre për lirinë dhe bashkimin kombëtar, duke shërbyer si një ngjarje me rëndësi të veçantë historike, kulturore dhe patriotike për qytetin e Gjilanit dhe mbarë Kosovën.
Në kuadër të “Flakës së Janarit” organizohen aktivitete të shumta, përfshirë homazhe, akademi përkujtimore, orë letrare, ekspozita artistike, shfaqje teatrore, koncerte dhe aktivitete sportive, ku marrin pjesë personalitete nga jeta kulturore, politike dhe shoqërore.
Manifestimi simbolizon qëndresën, sakrificën dhe frymën e lirisë, duke ruajtur gjallë kujtesën historike dhe duke e përcjellë mesazhin e atdhedashurisë te brezat e rinj.
“Flaka e Janarit” konsiderohet një nga manifestimet më të rëndësishme kulturore-kombëtare në Kosovë dhe mbetet një simbol i përhershëm i përkushtimit për liri dhe identitet kombëtar. Nis me 11 janar në ditën kur në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë ranë heroikisht duke luftua me forcat serbo-jugosllave, dy heronjtë e Anamoravës, Rexhep Mala e Nuhi Berisha. 

