Një valë e fortë të ftohti ka shkaktuar mbylljen e përkohshme të aeroporteve kryesore në Evropën Qendrore, duke përfshirë Vjenën, Pragën dhe Bratislavën, dhe ka sjellë vonesa të shumta në trafikun ajror, raporton Reuters.
Në Vjenë, Aeroporti kryesor u detyrua të pezullonte operacionet deri të paktën në orën 11:00 të mëngjesit, pasi një shtresë e trashë akulli u formua mbi pistat e uljes dhe ngritjes. Pavarësisht përpjekjeve për pastrim, akulli vazhdoi të krijohej, duke detyruar devijimin e disa fluturimeve drejt aeroporteve alternative.
Në Pragë, shiu i ngrirë ka kufizuar ndjeshëm aktivitetin e aeroportit, duke e bërë të mundur funksionimin vetëm në një “modalitet shumë të kufizuar”. Autoritetet kanë paralajmëruar se priten vonesa gjatë gjithë ditës, ndërsa ekipet për pastrimin e pistave punojnë intensivisht për të rikthyer sigurinë në operacionet e fluturimeve.
Edhe Aeroporti i Bratislavës në Sllovaki u mbyll përkohësisht deri në orën 11:15 të mëngjesit për shkak të kushteve ekstreme të motit.
Stuhia e dëborës “Goretti” ka shkaktuar deri në 15 centimetra dëborë dhe ka çuar në anulime të fluturimeve drejt destinacioneve si Varshavë, Paris dhe Frankfurt, si dhe vonesa të mëdha, ndërsa ekipet e pistës luftojnë për të mbajtur sipërfaqet e sigurta.
Autoritetet e aeroporteve rekomandojnë udhëtarëve të verifikojnë statusin e fluturimeve para nisjes dhe të presin për ndryshime të mundshme gjatë gjithë ditës.

