Apeli anulon pjesërisht vendimin e Themelores në rastin ndaj ish-drejtorit të Sekretariatit të KPK-së dhe të tjerëve

by Nexhat

Gjykata e Apelit ka marrë vendim në çështjen penale ndaj ish-drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqi, Flora Dodës dhe Marigonë Berishës, duke anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për pikën I dhe II të dispozitivit të aktgjykimit dhe e ktheu rastin në rigjykim, ndërsa për pikat III, IV, VI, dhe VI.1, aktgjykimi vërtetohet.

Përmes vendimit të 25 shtatorit 2025, Apeli refuzoi si të pabazuara ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe mbrojtjes së të akuzuarës Marigonë Berisha, avokatit Fatlum Podvorica, ndërkaq vërtetoi aktgjykimin e Themelores për pikat III, IV, VI, VI.1. Kurse, u anuluar aktgjykimi i Themelores për pikën I dhe II të dispozitivit të aktgjykimit, duke e kthyer çështjen në rivendosje, raporton “Betimi për Drejtësi“.

banner

Gjykata Themelores në Prishtinë, më 28 prill 2025 kishte liruar nga akuza për korrupsion ish-drejtorin e Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqi dhe Flora Dodën, ndërkaq e kishte dënuar me 3 mijë euro gjobë Marigona Berishën për falsifikim të dokumentit.

Kundër këtij aktgjykimi, ankesë ka parashtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, dhe vendimit lidhur me sanksionet penale, konfisikimin dhe kërkesat pasurore- juridike. Propozoi që aktgjykimi i Themelores të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim.

Po ashtu, Prokuroria kishte propozuar që pasi rasti të kthehet në rigjykim, të caktohet një tjetër trup gjykues, me arsyetimin se ky që është aktualisht, nuk e ka zbatuar ligjin siç duhet.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarës Berisha, avokati Fatlum Podvorica, ka parashtruar ankesë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së Ligjit Penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, dhe vendimit lidhur me sanksionet penale. Ka propozuar që aktgjykimi i ankimuar të anulohet dhe që e mbrojtura e tij të lirohet nga akuza sa i përket pikës VI.1 ose që rasti të kthehet në rigjykim.

Kurse, përgjigje në ankesën e Prokurorisë ka parashtruar mbrojtësi i Krasniqit, avokati Ramë Gashi, duke propozouar që të vërtetohet aktgjykimi i Themelores.

Njëjtë propozoi edhe mbrojtësi i Dodës, avokati Arlind Jupolli, përmes përgjigjes në ankesën e Prokurorisë. Gjithashtu, edhe avokati Podvorica, përmes përgjigjes në ankesë propozoi që ankesa e Prokurorisë të refuzohet si e pabazuar.

Në anën tjetër, Prokuroria e Apelit përmes një parashtrese ka propozuar që ankesa e Prokurorisë Themelore të aprovohet dhe rasti të kthehet në rigjykim. Propozoi edhe ndërrimin e trupit gjykues.

Kolegji i Apelit vlerëson se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë për pikat III, IV, VI dhe VI.1, është i qartë, i kuptueshëm dhe në harmoni me vetveten dhe me arsyetimin.

Apeli thekson se shkalla e parë nuk ka gjetur se në veprimet e të akuzuarit Krasniqi formohen elementet e veprave penale nga pika III, IV, VI dhe VI.1 të dispozitivit të aktgjykimit, andaj u lirua nga akuza.

Ndërkaq, kjo Gjykatë erdhi në përfundim se aktgjykimi i Themelores duhet të anulohet për pikën I dhe II, që nënkupton për veprat penale “Ushtrim ndikimi” dhe “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”. Sipas Apelit, shkalla e parë nuk i ka vlerësuar në masë të duhur të gjitha elementet inkriminuese për këtë vepër penale, edhe pse ka pasur udhëzimet nga vendimi paraprak.

“Aktgjykimi, pra në vlerësimin e përgjithshëm për pikën I dhe II të dispozitivit të aktgjykimit, duhet anuluar dhe çështja penale i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim e vendosje, kurse sa i përket pjesës vërtetuese për pikën III, IV, VI dhe VI.1, të dispozitivit të aktgjykimit, është vërtetuar”, thuhet në vendim.

Gjykata e Apelit gjen se shkalla e parë drejt ka vlerësuar se në veprimet e të akuzuarit Lavdim Krasniqi nuk janë formuluar elementet qenësore të veprës penale nga pika III e dispozitivit të aktgjykimit, vepra penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë”, po ashtu të akuzuarve Krasniqi dhe Doda për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, të akuzuarës Berisha për veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara nga kryerja e veprës penale”, pasi nuk ka mundur të vërtetojë se në veprimet e tyre janë formuluar elementet qenësore të veprave për të cilat ngarkoheshin.

Kurse, përkiazi me të akuzuarën Berisha për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, Apeli vlerëson se është vërtetuar se në veprimet e saj janë formuluar elementet inkriminuese të kësaj vepre penale, duke e shpallur fajtore.

Apeli konstaton se në këtë rast, Themelorja drejt ka vendosur kur të akuzarën e ka shpallur fajtore, ngase nuk është vërtetuar se nënshkrimi në dokumente është ai i cili duhet të jetë nga B.M.

Lidhur me pikat I dhe II., të dispozitivit të aktgjykimit, Apeli vlerëson se Themelorja në rigjykim duhet t’i vlerësojë edhe një herë të gjitha provat nga shkresat e lëndës sikurse ato personale edhe ato materiale, për të vërtetuar elementet inkriminuese të veprës penale “Ushtrim ndikimi” në bahskëkryerje dhe në vazhdimësi, dhe të vërtetojë se a janë marrë veprimet e drejtpërdrejta apo të tërthorta, se a është pranuar ndonjë dhuratë apo përfitim tjetër për vete apo për personin tjetër nga të akuzuarit, me pretendimin se është në gjendje të ushtrojë ndikim.

Kjo Gjykatë erdhi në përfundim se aktgjykimi i Themelores nuk është i përfshirë në shkelje të Ligjit Penal në pjesën liruese, të cilën edhe e ka vërtetuar. Por, për dy veprat penale në pikat I dhe II, për të cilat është anuluar aktgjykimi, erdhi në përfundim se është shkelur Ligji Penal., ngase Themelorja ka pasur prova të mjaftueshme të cilat është dashur t’i vlerësojë më përmbajtjesisht me rastin e vendosjes.

Sa i përket të akuzuarës Berisha, Apeli ka vlerësuar se në këtë rast, nuk ka pasur hapësirë ligjore të aplikohet instituti i zbutjes së dënimit, duke vlerësuar se me dënimin e shqiptuar ndaj saj, do të arrihet efekti dhe qëllimi i tij.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 9 mars 2023 kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqi, duke e dënuar me 6 muaj burgim dhe 8 mijë euro gjobë.

Ndërsa, Ardian Krasniqi ishte dënuar me dënim unik prej 4 vite e 8 muaj burgim dhe 6 mijë euro gjobë. Kurse e akuzuara Marigonë Berisha, u dënua me 5 mijë euro gjobë. Ndërsa, e akuzuara Flora Doda, ishte liruar nga akuzat.

Kundër këtij aktgjykimi kishte bërë ankesë Prokuroria Themelore në Prishtinë për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, vendimit mbi dënimin, konfiskimin dhe kërkesave pasurore-juridike. Kurse, Prokuroria e Apelit kishte kërkuar që kjo ankesë e Prokurorisë Themelore të aprovohet si e bazuar, ndërkaq aktgjykimi i ankimuar të anulohet dhe ndaj të akuzuarve lënda të kthehet në rigjykim dhe rivendosje. Ndërkaq, ka kërkuar që të refuzohen si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve.

Kurse, Gjykata e Apelit më 7 nëntor 2023 e ka kthyer në rigjykim këtë çështje penale.

Në rigjykim, Gjykata Themelore në Prishtinë më 16 shkurt 2024, ish-drejtorin e Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqi dhe Flora Dodën e liroi nga akuza për korrupsion, ndërsa Marigonë Berisha u dënua me 3 mijë euro për falsifikim të dokumentit. Për të akuzuarin Ardian Krasniqi ishte veçuar procedura penale.

Por, Gjykata e Apelit ka marrë vendim sërish, me të cilin ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa e ka kthyer për herë të dytë në rigjykim rastin ndaj ish-drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqi, si dhe Flora Dodës e Marigonë Berishës.

Shqyrtimi fillestar në këtë rast është mbajtur më 6 tetor 2021, ku të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Ndërsa, Gjykata Themelore në Prishtinë më 25 nëntor 2021 kishte aprovuar pjesërisht kërkesat e mbrojtësve të akuzuarve Lavdim Krasniqi e Marigonë Berisha duke hudhur poshtë dy pika të aktakuzës ndaj Krasniqit me të cilat ngarkohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe Berishës për veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale” si dhe ka shpallur të papranueshme si provë një CD dhe transkriptimin e saj.

Kurse, ajo ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së Lavdim Krasniqit për hudhje të aktakuzës lidhur me veprën penale “Ushtrim ndikimi” dhe “Mosraportim ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Tutje, ka lënë në fuqi aktakuzën ndaj Ardian Krasniqit për veprat penale në vazhdimësi dhe bashkëkryerje “Ushtrim ndikimi”, veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” si dhe veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Për Marigonë Berishën, ka mbetur në fuqi pika e akuzës ku ngarkohet për “Falsifikim të dokumenteve”. Ndërsa, për Flora Dodën, vepra penale për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Mirëpo, Gjykata e Apelit më 4 shkurt 2022 ka ndryshuar vendimin e shkallës së parë, me ç’rast ka vendosur që Lavdim Krasniqi të gjykohet edhe për dy pikat e aktakuzës për korrupsion. Ndërsa, ka vërtetuar vendimin e shkallës së parë që CD të shpallet si provë e papranueshme.

Sipas aktakuzës së ngritur më 13 gusht 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Lavdim Krasniqi në cilësinë e drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial (KPK) dhe Ardian Krasniqi në cilësinë e shoferit të tij personal, akuzoheshin se nga janari i vitit 2018 e deri në fund të vitit 2019, në bashkëkryerje, në vazhdimësi, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, kanë kërkuar dhe pranuar të holla dhe dhurata për vete dhe për tjetrin nga Bashkim Mulolli./BetimipërDrejtësi/

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy