Lidhja Demokratike e Kosovës ka nisur një takim konsultativ sot. Në selinë e partisë u panë duke hyrë figurat kryesore të kësaj partie. Takimi vjen pas një rezultati të dobët që mori kjo parti në zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe në mes të një paqartësie për përgjegjësinë që do të marrë kryetari Lumir Abdixhiku. Zyrtarët që hynë brenda thanë se është “takim konsultativ”, ndërsa u rezervuan të japin qëndrimet e tyre.
Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, refuzoi të tregojë qëndrimet e saj për gazetarët e mbledhur para selisë së LDK-së pak më parë, duke thënë se ato po i ruan për t’i shpalosur brenda takimit. Por, ajo premtoi se pas kësaj mbledhje do të flasë edhe për publikun.
“Është takim konsultativ. Fillon në ora 14:00. Aty do i shpreh qëndrimet e mia, më pas do i bëj publike”, tha shkurt Bajrami para gazetarëve.
Nënkryetari tjetër i partisë, Avdullah Hoti, i cili edhe më parë ka qenë kritik për udhëheqësin e LDK-së, s’e tha asnjë fjalë për mediat.
“Cili është qëndrimi juaj për Abdixhikun?”, u pyet Hoti, por nuk dha përgjigje.
Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Imri Ahmeti, s’pranoi të flasë rreth temës së dorëheqjes së Abdixhikut.
“Ne kemi takim konsultativ, për çështjet tona të brendshme. Për media pas takimit japim deklaratë. Tash për tash takim, nuk e di. S’është vetëm Kryesia kompetente për këtë, është Kuvendi, Këshilli”, tha ai.
Edhe anëtari tjetër i partisë, Anton Çuni, e la që qëndrimin e tij ta bëjë publik pas këtij takimi.
I pyetur nëse është për shkarkimin e Abdixhikut, Çuni tha: “Të gjitha do t’i diskutojmë, çdo gjë do ta bëjmë publike pas takimi”.
Ndërkaq, kryetarja e Forumit të Gruas në LDK, Jehona Lushaku-Sadriu, tha se Kryesia e partisë do të thirret në bazë të statutit e që më pas do të caktojnë edhe datën për mbledhjen e Kuvendit të kësaj partie, në të cilën mund të caktohet data për mbajtjen e Kuvendit të partisë.
E pyetur nëse do të pranojnë dorëheqjen e Abdixhikut, ajo tha se kjo përgjegjësia bie mbi një debat të brendshëm “që kultivohet dhe mbahet gjallë gjithmonë”.
“Kjo është kompetencë absolutisht e secilit anëtarë të Kryesisë edhe besoj që LDK njihet për një debat të brendshëm, për një demokraci të brendshme dhe është tepër e shëndosh që ky debat të kultivohet dhe të mbahet gjallë gjithmonë”, tha ajo.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në natën e zgjedhjeve në një konferencë për media kishte shfaqur pakënaqësinë e tij me rezultatin e fituar, ndërsa kishte thënë se për të ardhmen e partisë do të mblidhet Kuvendi për të diskutuar. Ai kishte thënë se edhe dorëheqjen e tij e ka opsion

