LDK-ja kërkon “një figurë konsensuale” që e “rikthen besimin mes të gjitha subjekteve parlamentare dhe që nuk shihet si palë politike” për president/e të vendit. Vjosa Osmani, e cila po kërkon edhe një mandat si shefe e shtetit, nuk është konsideruar e tillë nga partitë opozitare. As LVV-ja nuk e ka mbyllur mundësinë që të propozohet një emër tjetër.
Ndërsa po i kalon javët e fundit të mandatit të saj si presidente e vendit, Vjosa Osmani është angazhuar të tregojë se ka punuar “ditë e natë” dhe “kurrë pa ndalë” për pesë vjet.
Ajo dëshiron të mbetet ende në karrigen e shefes së shtetit, ndërsa debati për këtë çështje tashmë po thellohet.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ndërsa foli për çështjen e presidentit, tha dje se “pa marrëveshje politike ndërmjet subjekteve parlamentare, imponimi i emrave të përveçëm nuk sjell asnjë rezultat tjetër përveç krizës institucionale”.
Ai tha për Kohën se “kandidimet unilaterale të partive nuk sjellin konsensus”, ndërsa shtoi se “Kosova nuk ka luksin të hyjë në krizë për asnjë emër të veçantë”.
Abdixhiku duket se nuk po e mendonte Osmanin si opsion, kur tha se në pozitën e presidentit duhet një “figurë konsensuale”.
“Partitë parlamentare, përkatësisht 80 deputetë, duhet të gjejnë dhe të zgjedhin një figurë konsensuale që ruan integritetin kushtetues, që rikthen besimin mes të gjitha subjekteve parlamentare dhe që nuk shihet si palë politike, por si figurë unifikuese e shtetit. Lidhja Demokratike e Kosovës, si parti parlamentare, është e gatshme të marrë pjesë në çdo proces serioz ndërpartiak që synon ndërtimin e këtij konsensusi dhe zgjedhjen e një figure që përfaqëson shtetin”, tha ai.
Kreu i LDK-së, bashkë me deputetë të tjerë të kësaj partie, patën qëndruar në sallën e Kuvendit më 4 prill 2021, për t’ia mundësuar Osmanit të zgjidhej presidente.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj nuk janë përgjigjur për këtë çështje. Këto dy parti vazhdimisht kanë pasur kritika ndaj Osmanit, që sipas tyre nuk e ka përfaqësuar unitetin e popullit, siç parasheh Kushtetuta.
Megjithatë, Osmani, e cila erdhi në pozitën e presidentes në vitin 2021 në saje të një bashkëpunimi me Albin Kurtin, i cili e mori drejtimin e qeverisë, po kërkon që t’i vazhdojnë “punët e mira bashkërisht” me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, partisë e cila mori rreth 51.11% të votave në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.
Kurti ka thënë së fundmi se sheh “mundësi jo vetëm teorike, por edhe praktike” që Kosova të shkojë sërish në zgjedhje, pasi të konstituohet Kuvendit dhe të formohet qeveria e re, pasi “80 veta në sallë është vështirësi e konsiderueshme”.
Por ai nuk e ka mbyllur mundësinë që të propozojnë emër tjetër përveç Osmanit. I pyetur në një intervistë për KosovaPress nëse preferon ndonjë emër tjetër “më konsensual” për president, Kurti ka thënë se “nuk mund të diskutojmë për hapin e katërt pa tre të parët”, duke përmendur konstituimin e Kuvendit, votimin e qeverisë dhe votimin e buxhetit të këtij viti.
Osmanit i përfundon mandati më 7 prill. Një muaj para kësaj date, vendi duhet ta zgjedhë një president me mandat të plotë.
Nëse në tri runde votimi nuk bëhen votat e nevojshme për një kandidat për president, atëherë Kuvendi shpërndahet.
Për zgjedhjen e presidentit nevojiten 80 vota. Nëse kjo s’arrihet, në rundin e tretë mjaftojnë 61 vota, me kushtin që 80 deputetë të jenë prezentë në sallën e Kuvendit./Gazeta Express

