ProCredit Superliga e Kosovës në basketboll vazhdon me intensitet të lartë edhe në mesjavë, ku në kuadër të xhiros së 15-të tifozët do të kenë mundësi të ndjekin disa përballje mjaft interesante, me vëmendjen kryesore të përqendruar te derbi i madh në Mitrovicë mes Trepçës dhe GO+ Pejës.
Xhiroja hapet të mërkurën me dy ndeshje që pritet të ofrojnë rivalitet dhe basketboll cilësor.
Bora do të përballet me Rahovecin 029, në një duel ku të dy skuadrat synojnë pikë të rëndësishme për vazhdimësinë e sezonit, transmeton Klankosova.tv.
Në të njëjtin orar, Vëllaznimi pret Bashkimin, në një përballje tradicionale që gjithmonë prodhon emocione dhe luftë deri në minutat e fundit.
Të enjten, fokusi zhvendoset në Mitrovicë, ku Trepça dhe GO+ Peja do të matin forcat në një derbi që historikisht ka ofruar spektakël në parket dhe atmosferë të zjarrtë në tribuna.
Kjo ndeshje pritet të ketë peshë të madhe edhe në renditjen e tabelës, duke marrë parasysh ambiciet e të dyja skuadrave.

Në ndeshjen tjetër të së enjtes, Golden Eagle Ylli do të përballet me Sigal Prishtinën, në një duel mes dy skuadrave që synojnë vazhdimësi pozitive dhe pozicionim sa më të mirë në garën për play-off. Të gjitha ndeshjet e xhiros së 15-të zhvillohen nga ora 18:45

