Rinumërimi i pjesshëm i votave të kandidatëve ka nxjerrë në pah parregullsi serioze në qendrat komunale të numërimit, ka deklaruar Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).
Teksa në Qendrën e Numërimit të Rezultateve po vazhdon procesi i rinumërimit, Cakolli ka publikuar të dhëna grafike që tregojnë ndryshimet e votave të kandidatëve sipas partive politike, pas verifikimit të deritanishëm.
Sipas tij, në nivel kumulativ, dallimet në votat e kandidatëve arrijnë në afro 15 mijë vota. Më së shumti ndryshime janë evidentuar te lista e PDK-së, me rreth 7,719 vota diferencë, e ndjekur nga LVV me rreth 2,947 vota, LDK me 1,676 vota dhe AAK me rreth 639 vota.
Në total, pas rinumërimit dhe korrigjimeve në QNR, rreth 9,500 vota u janë hequr kandidatëve, ndërsa rreth 3,500 u janë shtuar. Vetëm te katër partitë kryesore, mbi 200 kandidatë kanë shënuar rritje të votave, ndërsa rreth 200 të tjerë kanë pësuar rënie. Sipas Cakollit, LVV ka 61 kandidatë me ulje dhe 46 me rritje të votave; PDK 79 me rritje dhe 27 me ulje; LDK 59 me rritje dhe 46 me ulje; ndërsa AAK 60 me ulje dhe 37 me rritje.
Ai i cilësoi këto si dallime substanciale, veçanërisht duke pasur parasysh se rinumërimi aktual përfshin vetëm rreth një të tretën e vendvotimeve në nivel vendi. Sipas tij, shqetësuese është edhe fakti që ndryshimet më të mëdha vijnë kryesisht nga qendrat komunale prej nga janë vetë kandidatët.
Në këtë kontekst, Cakolli ka kërkuar rinumërim të plotë të votave, duke e konsideruar atë si zgjidhjen e vetme të duhur. Ai theksoi se, nëse trendi aktual vazhdon proporcionalisht, ndikimi në nivel vendi do të jetë edhe më i madh dhe mund të ndryshojë renditjen e shumë kandidatëve, duke rrezikuar edhe respektimin e afateve kushtetuese.
Po ashtu, ai publikoi listën e dhjetë kandidatëve që kanë pësuar rënien më të madhe të votave pas rinumërimit në QNR: Fetah Paçarizi, Nait Hasani, Arianit Çollaku, Xhavit Haliti, Luljeta Veselaj Gutaj, Kujtim Gashi, Enver Hoxhaj, Fadil Demaku nga PDK, si dhe Ejup Maqedonci dhe Vendenis Lahu nga LVV.

