Sot janë bërë dy dekada nga vdekja e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili vdiq më 21 janar 2006 dhe u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.
Rugova shkollën fillore e kreu në Istog, ndërsa të mesmen në Pejë, duke përfunduar në vitin 1967. Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe – e kreu në Prishtinë. Gjatë vitit akademik 1976–1977 qëndroi në Paris, në École Pratique des Hautes Études, nën mbikëqyrjen e profesorit Roland Barthes, ku ndoqi interesimet e tij shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare. Doktoroi në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës më 1984.
Në vitin 1996 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës. Në fillimet e karrierës së tij ishte redaktor në gazetën e studentëve “Bota e Re” dhe në revistën shkencore “Dituria” (1971–1972), që botoheshin në Prishtinë. Për një periudhë punoi edhe në revistën “Fjala”.
Për afro dy dekada, Rugova e zhvilloi veprimtarinë shkencore në Institutin Albanologjik si hulumtues i letërsisë. Për një kohë ishte kryeredaktor i revistës “Gjurmime Albanologjike” të këtij instituti. Me krijimtari letrare u mor që nga fillimi i viteve gjashtëdhjetë.
Më 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, e cila u shndërrua në një bërthamë të fuqishme të lëvizjes shqiptare kundër sundimit komunist serb dhe jugosllav në Kosovë.
Si intelektual i njohur që i dha zë kësaj lëvizjeje intelektuale dhe politike, Rugova u zgjodh më 23 dhjetor 1989, nga themelimi, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. Nën udhëheqjen e tij, LDK-ja u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes.
Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë, si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Rugova dhe LDK-ja përmbyllën kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës. Deklarata e Pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i Kushtetutës së saj (7 shtator 1990), si dhe referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, i mbajtur në fund të shtatorit 1991, qenë preludi për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës më 24 maj 1992.
Doktor Ibrahim Rugova u zgjodh president i Republikës së Kosovës dhe u rizgjodh në këtë post në zgjedhjet e mbajtura në mars 1998.
Nën udhëheqjen e tij, LDK-ja fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e para lokale të sponsorizuara ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës në tetor 2000, si dhe në zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. LDK-ja fitoi gjithashtu zgjedhjet nacionale në vitin 2004.
Doktor Ibrahim Rugova u zgjodh president i Kosovës në mars 2002 dhe u rizgjodh më 2004.
Në përvjetorin e vdekjes, më 21 janar 2007, presidenti i atëhershëm Fatmir Sejdiu e dekoroi presidentin historik të Kosovës me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vend, që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës për veprat e tyre të trimërisë në shërbim të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

