Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në margjinat e Forumit Ekonomik në Davos, është takuar me Komisioneren e Bashkimit Europian për Zgjerim, Marta Kos.
Zyra e Kryeministrit në njoftim tha se temat e diskutuara mes tyre ishin mbi “progresin ekonomik” dhe “avancimin demokratik të vendit”, për të cilat tha se janë kyçe në rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Europian.
Për ambiciet e Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat, Kurti, sipas ZKM-së, i ka thënë komisioneres Kos se Kosova është më e përgatitur se vendet e rajonit që kishin qenë kur i është dhënë ky status.


“Raporti i Vendit i Komisionit Evropian për vitin 2025 dëshmoi se Kosova ka vazhduar progresin në integrimin evropian. Asnjë vend i Ballkanit Perëndimor nuk ka qenë më i përgatitur në momentin e marrjes së statusit të vendit kandidat, andaj edhe progresi demokratik i Kosovës meriton të vlerësohet me këtë status”, thuhet në njoftim.
Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE nuk ka lëvizur para që kur u dorëzua më fund të 2022-ës.
“Në takim u diskutua edhe rreth situatës gjeopolitike, Planit të Rritjes, bashkëpunimit rajonal dhe aktualitetit. Sa i përket bashkëpunimit rajonal, kryeministri Kurti theksoi se Kosova luan rol aktiv dhe konstruktiv dhe mbështet integrimin më të gjerë ekonomik të rajonit bazuar në vlerat dhe standardet e Bashkimit Evropian”, tha më tej ZKM.

