Finalja e Kupës së Afrikës së Kombeve u shoqërua me skena kaotike të dielën mbrëma, pasi lojtarët e Senegalit u larguan nga fusha në shenjë proteste ndaj një penalltie të dhënë në minutat shtesë për Marokun.
Gjithçka ndodhi kur trajneri i Senegalit, Pape Thiaw, urdhëroi skuadrën të braktiste fushën pas vendimit të arbitrit Jean-Jacques Ndala, i cili – pas rishikimit me VAR – akordoi penallti për një faull të El Hadji Malick Diouf ndaj Brahim Diaz. Të gjithë lojtarët e Senegalit, përveç Sadio Manes, u drejtuan drejt tunelit, duke shkaktuar një ndërprerje 17-minutëshe të ndeshjes.
Pas rikthimit në fushë, Maroku humbi penalltinë, pasi Edouard Mendy priti tentativën e Diaz. Pavarësisht polemikave, Senegali fitoi 1-0 pas vazhdimeve, duke u shpallur kampion.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta. Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, dënoi ashpër sjelljen e lojtarëve dhe stafit të Senegalit, duke e quajtur të papranueshme braktisjen e fushës. Mediat afrikane raportojnë se CAF ka marrë masa disiplinore ndaj trajnerit Thiaw, duke e pezulluar atë.
Ndërkohë, kanë nisur spekulimet për një pezullim të mundshëm të Senegalit nga Kupa e Botës 2026, por deri tani nuk ka asnjë vendim zyrtar nga FIFA.

