Presidentja e Kosovës, ka ndarë në Facebook deklarimin e saj lidhur me Bordin e Paqes, duke thënë duke ardhur nga një vend që është shkatërruar nga lufta ‘’jemi thellësisht mirënjohës dhe jashtëzakonisht krenarë’’ që qëndrojmë përkrah presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Ajo ka thënë edhe se, Bordi i Paqes do të ndihmojë vendet anembanë botës të arrijnë paqen që e meritojnë, shkruan Gazeta Express.
‘’Më lejoni ta nis duke thënë se, duke ardhur nga një vend, Republika e Kosovës, një vend i shkatërruar nga lufta dhe një vend që sot jeton në paqe falë udhëheqjes amerikane, ne jemi thellësisht mirënjohës dhe jashtëzakonisht krenarë që qëndrojmë përkrah Presidentit Trump në këtë nismë të re dhe në këtë organizatë ndërkombëtare, Bordi i Paqes, për të cilin jam shumë shpresëplotë dhe plotësisht i bindur se do t’i ndihmojë vendet anembanë botës të arrijnë paqen që e meritojnë dhe paqen që ne sot e gëzojmë falë vendeve që na kanë qëndruar pranë’’, ka thënë ajo.
Ajo është shprehur se ‘’beson fuqishëm’’ në udhëheqjen e Trump, dhe se do të ‘’japim kontributin tonë’’ për të siguruar që ‘’ky plan të funksionojë’’.
‘’Unë, siç e thashë, besoj fuqishëm në udhëheqjen e Presidentit Trump dhe ekipit të tij. Dhe tani, së bashku me liderët e tjerë që i janë bashkuar Bordit të Paqes, ne do të japim kontributin tonë për të mbështetur, përmes ekspertizës sonë dhe një game të gjerë mbështetjeje, për t’u siguruar që ky plan të funksionojë’’, ka thënë ajo.
Tutje, ajo ka thënë se sot, Kosova, falë SHBA’ve dhe vendeve të tjera, mund të ndiohmojë duke u siguruar që të ‘’çojmë paqen përpara’’.
‘’Në qendër të gjithçkaje që bëjmë janë jetët e njerëzve. Kjo ka të bëjë me shpëtimin e jetëve. Këtë e di nga përvoja personale. Ne jemi rritur si fëmijë lufte, të gjithë në brezin tonë. Dhe sot, falë udhëheqjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shumë vendeve të tjera që na kanë qëndruar pranë, tani ne mund të kthehemi dhe të ndihmojmë, duke u siguruar që ta çojmë paqen përpara’’, ka shtuar ajo.

