Nga Bazeli, Kurti promovon bizneset kosovare në panairin “Swissbau 2026”

by engel

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar panairin ndërkombëtar të drurit dhe ndërtimit “Swissbau 2026”, i cili po mbahet në Bazel të Zvicrës, duke vënë në pah rritjen e dukshme të prezencës së bizneseve kosovare në tregjet ndërkombëtare.

Në një njoftim nga Davosi dhe Shtëpia e Kosovës atje, Kurti bëri të ditur se delegacioni kosovar ka vazhduar vizitën zyrtare drejt Bazelit për të marrë pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme evropiane për sektorin e ndërtimit dhe industrinë e drurit.

banner

Sipas kryeministrit, pas pandemisë, rikthimi i prezantimit të Kosovës në panaire ndërkombëtare ka nisur pikërisht në panairin “Swissbau” në maj të vitit 2022, kur Kosova ishte përfaqësuar me tetë biznese vendore. Ndërkaq, në edicionin e sivjetmë, numri i bizneseve kosovare pjesëmarrëse është rritur në 27.

Kosova është njëra nga 19 shtetet që po marrin pjesë në panairin “Swissbau 2026” dhe, sipas Kurtit, është i vetmi shtet nga rajoni që po prezantohet në këtë edicion, me një hapësirë ekspozuese prej rreth 700 metrash katrorë.

Pjesëmarrja e Kosovës në këtë panair është mbështetur nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Panairi “Swissbau” konsiderohet një nga ngjarjet më të rëndësishme në Evropë në fushën e drurit dhe ndërtimit, duke tërhequr mbi 52 mijë vizitorë profesionistë. Në edicionin e këtij viti po marrin pjesë gjithsej 592 biznese nga 19 shtete të ndryshme të botës.

Kryeministri Kurti theksoi se pjesëmarrja në panaire të tilla ndërkombëtare është thelbësore për rritjen e eksportit, promovimin e produkteve vendore dhe forcimin e imazhit ekonomik të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy