Avdullah Hoti shpall kandidaturën për kryetar të LDK-së

by Nexhat

Avdullah Hoti ka bërë të ditur se do të kandidojë për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në Kuvendin e kësaj partie, që pritet të mbahet më 31 janar.

Letra e plotë Prof.Avdullah Hotit

banner

Të nderuar anëtarë të LDK-së,

Të nderuara struktura të degëve, nëndegëve, të Forumit të Gruas dhe Forumit të Rinisë,

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së dhe të Kryesisë së LDK-së,

Të nderuar delegatë të Kuvendit të LDK-së,

Pas dorëheqjes së Kryetarit Abdixhiku për shkak të rezultatit të fundit zgjedhor, ju njoftoj se në mbledhjen e Kuvendit të LDK-së të datës 31 janar 2026 do të kërkoj besimin tuaj për t’i prirë Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Me këtë rast, falënderoj të gjitha strukturat drejtuese të LDK-së për përkushtimin në udhëheqjen e LDK-së në pesë vitet e fundit: Kryetarin Abdixhiku, kolegët e Kryesisë, të degëve e nëndegëve dhe forumet anekënd Kosovës. Mirënjohja ime e thellë shkon, para së gjithash, për anëtarësinë besnike të LDK-së — shtyllën mbi të cilën kjo parti ka qëndruar dhe do të qëndrojë gjithmonë.

Në këtë moment vendimtar për LDK-në dhe për Kosovën, unë zotohem me përgjegjësi të plotë të marr barrën e ringritjes politike dhe organizative të partisë. Zotohem të udhëheq një proces tërësisht gjithëpërfshirës, transparent dhe në përputhje të plotë me Statutin, ku secili anëtar, çdo degë dhe çdo forum ka zë dhe rol aktiv në ringritjen e LDK-së dhe në vendimet që marrim si shtëpi politike e demokracisë.

Zotohem se askush nuk do të mbetet në margjina. Se do të ndërtojmë një LDK të hapur, të drejtë dhe konkurruese. Një LDK ku avancimi bazohet në meritë, integritet dhe përkushtim; ku profesionistët, gratë dhe të rinjtë e gjejnë hapësirën që u takon; dhe ku energjia e re bashkohet me përvojën për ta kthyer LDK-në në alternativën kryesore qeverisëse të Republikës së Kosovës.

Jam thellësisht i bindur se potenciali i LDK-së është shumë më i madh. Është koha që këtë potencial ta çlirojmë dhe ta kanalizojmë për ta kthyer LDK-në në forcën politike kryesore në Republikën e Kosovës, në shërbim të qytetarëve dhe të interesit shtetëror.

Të gjithë së bashku do t’i rikthejmë dhe forcojmë vlerat tona themeltare: demokracinë e brendshme, guximin politik për të marrë përgjegjësi, vizionin shtetformues dhe orientimin e palëkundur euro-atlantik. Këto vlera nuk janë kujtim i një të kaluare të lavdishme — ato janë të domosdoshme për të ardhmen tonë. Vetëm duke u kthyer tek to, me vendosmëri dhe unitet, do ta rikthejmë LDK-në në ballë të proceseve demokratike dhe shtetërore të Republikës së Kosovës.

Ky është momenti për bashkim. Për maturi. Për guxim politik. Për një fillim të ri që ndërtohet mbi parime, besim dhe vizion.

Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës!

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy