Manchester Unitedi ka marrë një fitore të madhe në udhëtim tek Arsenali.
Me ndeshjen e luajtur në “Emirates”, në kuadër të xhiros së 23-të, Manchester Unitedi mori tri pikë të rëndësishme duke u rikthyer në top katërshe të Premierligës.
Unitedi fitoi 3-2, por të parët në epërsi dolën vendasit, përmes një autogoli të Lisandro Martinezit në minutën e 29-të të ndeshjes.
Në minutën e 37-të megjithatë ishte Bryan Mbeumo që shënoi për 1-1, pas një gabimi të Martin Zubimendit.
Kështu u mbyll pjesa e parë, teksa në të dytën, pas vetëm gjashtë minutash, ishte Patrick Dorgu që shënoi një supergol, për epërsinë e Unitedit në Londër.
Në minutën e 84-të, zëvendësuesi Mikel Merino shënoi për 2-2, pas një tollovie në mbrojtjen e Unitedit pas një goditjeje këndi.
Megjithatë, vetëm tre minuta më vonë, ishte Matheus Cunha që shënoi një supergol tjetër, duke mposhtur David Rayan për herë të tretë sonte, dhe për të marrë tri pikë të arta.
Me këtë fitore, Unitedi shkon në kuotën e 38 pikëve, në vendin e katërt, teksa Arsenali mbetet në 50 pikë – tashmë vetëm katër pikë më shumë se Manchester City në vendin e dytë dhe Aston Villa në vendin e tretë.

