Zyra e BE-së letër Qalajt: Zhgënjyese që përbërja e re KPK-së dështoi të marrë mandatin, minon angazhimin tonë

by informim peje

Përmes një letre që Ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Aivo Orav, i ka dërguar ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, BE-ja ka shprehur shqetësim serioz lidhur me dështimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për të vendosur funksionet e tij organizative bazë, në mbledhjen konstituive të mbajtur më 20 janar 2026.

Në letrën drejtuar kryesuesit të kësaj mbledhjeje, u.d. Kryeprokurorit të Shtetit, Qalaj, BE-ja thekson se dështimi për të konstituuar Këshillin është veçanërisht zhgënjyes, duke pasur parasysh se përbërja e re e KPK-së kishte për qëllim të shënonte një hap kyç në procesin aktual të reformës në sistemin prokurorial, raporton “Betimi për Drejtësi“.

banner

Sipas BE-së, megjithëse reforma synonte forcimin e udhëheqjes dhe përputhjen e sistemit prokurorial me parimet e sundimit të ligjit, Këshilli u pengua të marrë mandatin e tij dhe të fillojë punën siç ishte paraparë.

Më tej, në letër thuhet se BE-ja ka mbështetur vazhdimisht reformën e KPK-së, me qëllim të reduktimit të korporatizmit dhe forcimit të përputhshmërisë së sistemit prokurorial me parimet e sundimit të ligjit. Po ashtu, theksohet se është pritur që reforma të zbatohej në mirëbesim, me një përkushtim të sinqertë ndaj zhvillimit institucional.

Ndërkaq, në këtë kontekst, Zyra e BE-së rikujton se ka shprehur më herët dhe në mënyrë të përsëritur shqetësime serioze lidhur me vendime që kanë qenë proceduralisht të parregullta dhe madje të paligjshme, duke minuar zbatimin e reformës.

Në këtë kuptim, në letër thuhet se është për të ardhur keq që një qasje e diskutueshme ndaj udhëheqjes demokratike të Këshillit, nën kryesimin e Qalajt, tani e ka penguar atë të marrë mandatin e tij.

Në letër theksohet se, si pasojë, legjitimiteti i Këshillit është dobësuar, ndërsa kjo minon edhe angazhimin e BE-së të bazuar në partneritet me një institucion, kredibiliteti dhe përkushtimi i të cilit ndaj udhëheqjes së ligjshme, transparente dhe të drejtë janë vënë në pikëpyetje.

Kështu, Ambasadori Orav i bën thirrje Qalajt që, në kuadër të rolit dhe përgjegjësive të tij, të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar funksionimin e rregullt të Këshillit. Ndërkohë, thekson se kjo kërkon respektim të plotë të rregullave dhe procedurave ligjore, të zbatuara në mënyrë të drejtë, si dhe shmangien e çdo praktike që mund të perceptohet si manipulim procedural apo pengesë taktike.

Në fund, BE thekson se sistemi prokurorial është një gur themeltar i sundimit të ligjit dhe se funksionimi i tij i rregullt është thelbësor për zhvillimin demokratik të Kosovës dhe rrugën e saj evropiane.

Po ashtu, thuhet se zhvillimi i sistemit prokurorial do të mbetet një angazhim i vazhdueshëm i Bashkimit Evropian dhe një element kyç i vlerësimit të tij për situatën e sundimit të ligjit në Kosovë, ndërsa forma e angazhimit të ardhshëm do të varet nga kredibiliteti i Këshillit dhe përmbushja e parimeve të qeverisjes së ligjshme, transparente dhe të drejtë.

Letra e plotë e Orav:

“I nderuar Kryeprokuror i Shtetit në detyrë,

Kam vërejtur se KPK-ja ka dështuar të vendosë funksionet e saj organizative bazë në mbledhjen konstituive të kryesuar nga ju më 20 janar 2026. Kjo është veçanërisht zhgënjyese, duke pasur parasysh se përbërja e re e Këshillit kishte për qëllim të shënonte një hap kyç në procesin aktual të reformës, por megjithatë u pengua të marrë mandatin e saj dhe të fillojë punën siç ishte paraparë.

Bashkimi Evropian ka mbështetur vazhdimisht reformën e KPK-së, me qëllim të reduktimit të korporatizmit dhe forcimit të përputhshmërisë së sistemit prokurorial me parimet e sundimit të ligjit. Është pritur që reforma të zbatohej në mirëbesim, me një përkushtim të sinqertë ndaj zhvillimit institucional. Në këtë kontekst, Zyra e BE-së ka shprehur më herët dhe në mënyrë të përsëritur shqetësime serioze lidhur me vendime që kanë qenë proceduralisht të parregullta dhe madje të paligjshme, duke minuar zbatimin e reformës. Në këtë kontekst, është për të ardhur keq që një qasje e diskutueshme ndaj udhëheqjes demokratike të Këshillit, nën kryesimin tuaj, tani e ka penguar atë të marrë mandatin e tij.

Si pasojë, legjitimiteti i Këshillit është dobësuar, si dhe kjo minon angazhimin e BE-së të bazuar në partneritet me një institucion, kredibiliteti dhe përkushtimi i të cilit ndaj qeverisjes së ligjshme, transparente dhe të drejtë janë vënë në pikëpyetje.

Prandaj, ju bëj thirrje që, në kuadër të rolit dhe përgjegjësive tuaja, të ndërmerrni të gjitha masat e nevojshme për të siguruar funksionimin e rregullt të Këshillit. Kjo kërkon respektim të plotë rregullave dhe procedurave ligjore, të zbatuara në mënyrë të drejtë, si dhe shmangien e çdo praktike që mund të perceptohet si manipulim procedural apo pengesë taktike.

Sistemi prokurorial është një gur themeltar i sundimit të ligjit dhe funksionimi i tij i rregullt është thelbësor për zhvillimin demokratik të Kosovës dhe rrugës evropiane. Zhvillimi i sistemit prokurorial do të mbetet, rrjedhimisht, një angazhim i Bashkimit Evropian dhe një element kyç i vlerësimit të tij për situatën e sundimit të ligjit në Kosovë. Sërish, forma e angazhimit të ardhshëm do të varet nga kredibiliteti i Këshillit dhe përmbushja e parimeve të qeverisjes së ligjshme, transparente dhe të drejtë“.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy