Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka urdhëruar tërheqjen e menjëhershme nga tregu të qumështit për foshnje APTAMIL, pas identifikimit të substancës së rrezikshme Cereulide, përmes Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim.
Sipas AUV-së, menjëherë pas pranimit të njoftimit nga sistemi evropian i alarmimit të shpejtë, inspektorët kanë dalë në terren dhe, në bashkëpunim me kompaninë importuese, kanë nisur grumbullimin dhe largimin nga tregu të qumështit APTAMIL ARD, si dhe të disa nënprodukteve medicinale që lidhen me këtë produkt.
Zyrtari i AUV-së, Muharrem Shahini, ka bërë të ditur se deri më tani nuk është raportuar asnjë rast i rrezikimit të shëndetit të fëmijëve nga përdorimi i këtij qumështi.
“Fatmirësisht nuk kemi asnjë rast të lajmëruar që ndërlidhet me rrezikshmëri për fëmijët gjatë përdorimit të këtij qumështi. Megjithatë, sapo kemi marrë njoftimin nga sistemi evropian, kemi vepruar menjëherë për largimin e tij nga tregu”, ka deklaruar Shahini.
AUV u ka bërë thirrje konsumatorëve që të mos e konsumojnë këtë produkt dhe ta kthejnë atë në pikat e shitjes ku është blerë.
Sipas Agjencisë, raportimet e qytetarëve për produkte të dyshimta shpesh shërbejnë si bazë për nisjen e analizave të detajuara laboratorike, të cilat në disa raste përfundojnë me asgjësimin ose rikthimin e produkteve në vendin e origjinës.
Megjithatë, AUV përballet me mungesë të theksuar të inspektorëve. Sipas Shahinit, Agjencia do të duhej të kishte rreth 200 inspektorë, ndërsa aktualisht ka vetëm 79 inspektorë veterinarë dhe sanitarë.
“Ngarkesa e punës është jashtëzakonisht e madhe, por me përkushtim të lartë po arrijmë t’i kryejmë detyrat. Rezultatet do të ishin edhe më të mira me një numër më të madh inspektorësh”, ka shtuar ai.
Sipas AUV-së, ndalesat më të shpeshta nga tregu kanë të bëjnë me produktet e qumështit, mishit, si dhe me importin e gjedhëve dhe bagëtive të imëta.

