Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) dhe Instituti Albanologjik i Prishtinës kanë hyrë në një tjetër përplasje, këtë herë lidhur me procesin e zgjedhjes së drejtorit të Institutit, Naim Berisha. Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të ligjit.
Përderisa MASHTI vlerëson se procesi i zgjedhjes së drejtorit ka qenë i paligjshëm, Instituti Albanologjik konsideron se interpretimi dhe vendimi i nxjerrë nga Ministria janë në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Të hënën pasdite, ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar përmes rrjeteve sociale se është marrë vendim për anulimin e zgjedhjes së drejtorit të Institutit Albanologjik të Kosovës. Njëkohësisht, është publikuar edhe vendimi i nxjerrë nga kabineti i saj dhe i nënshkruar nga vetë ministrja në detyrë.
Në njoftimin e MASHTI-t thuhet se, në bazë të kompetencave ligjore, Ministria ka obligim të sigurojë respektimin e legjislacionit në fuqi dhe se, për shkak të shkeljeve gjatë procesit të zgjedhjes, është anuluar vendimi për zgjedhjen e drejtorit të Institutit Albanologjik të Kosovës.
Vendimi i publikuar nuk mban emrat e ndonjë zyrtari ligjor që mund të ketë shqyrtuar procedurën dhe është nxjerrë gati dy muaj pas vendimit të Këshillit Drejtues të Institutit për zgjedhjen e Naim Berishës drejtor.
Në pikën e parë të vendimit thuhet se anulohet vendimi me nr. IAP/127, i datës 04.12.2025, për zgjedhjen e drejtorit të Institutit Albanologjik të Kosovës. Po ashtu, Këshilli Drejtues obligohet që, pa e kaluar afatin ligjor prej dy vjetësh nga koha kur Instituti nuk ka pasur drejtor – duke përjashtuar periudhën nga zgjedhja deri në anulimin e konkursit – mandatin e drejtorit t’ia kalojë ushtruesit të detyrës nga radhët e punonjësve të Institutit. Gjithashtu, Këshilli duhet të njoftojë Ministrinë për shpalljen e konkursit të ri dhe të marrë parasysh rekomandimet e MASHTI-t lidhur me kushtet dhe kriteret për ndërkombëtarizimin e shkencës.
Në pikën e dytë të vendimit, Këshilli Drejtues obligohet të ndërmarrë veprimet e nevojshme për të respektuar legjislacionin në fuqi.
Sipas arsyetimit të MASHTI-t, konkursi publik i datës 14.10.2025 nuk ka respektuar rekomandimet e Ministrisë të dhëna më 10.04.2025 lidhur me kushtet dhe kriteret e konkursit. Në vendim theksohet se Programi Kombëtar i Shkencës 2023–2028 e identifikon ndërkombëtarizimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore si objektiv strategjik dhe se Instituti ka qenë i obliguar t’i përfshijë këto rekomandime.
Po ashtu, Ministria vlerëson se përbërja e Komisionit për vlerësimin e aplikantëve për pozitën e drejtorit ka qenë e paligjshme, pasi, sipas saj, janë përfshirë edhe persona të pensionuar, në kundërshtim me Ligjin e Punës dhe Ligjin për Zyrtarët Publikë.
Nga ana tjetër, Instituti Albanologjik i Prishtinës ka reaguar përmes rrjetit social Facebook, duke shprehur habinë për faktin se për vendimin e MASHTI-t është njoftuar përmes rrjeteve sociale dhe jo përmes komunikimit zyrtar.
Në reagim thuhet se, në bazë të Ligjit për Veprimtari Kërkimore-Shkencore, Instituti ka status të personit juridik dhe se organi më i lartë vendimmarrës është Këshilli Drejtues, i cili, sipas Statutit, ka kompetencë për zgjedhjen dhe shkarkimin e drejtorit.
Instituti thekson se institutet shkencore në Kosovë kanë bazë të veçantë ligjore dhe se Ligji për Zyrtarët Publikë, në të cilin është thirrur MASHTI, nuk është i zbatueshëm për këtë rast, pasi bëhet fjalë për një proces zgjedhor dhe jo për emërime.


