Mbrëmjen e së hënës ka ndodhur një aksident trafiku në Mamushë, ku janë përfshirë tre automjete, përfshirë edhe një veturë të Policisë së Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, tha për Klankosova.tv se aksidenti ndodhi si pasojë e ngasjes së pakujdesshme të drejtuesit të automjetit nr. 1, i cili po lëvizte nga fshati Neprebisht drejt fshatit Mamushë.
Sipas Bytyqit, drejtuesi i automjetit nuk ia përshtati shpejtësinë kushteve dhe rrethanave të rrugës, veçanërisht pranë një pike kontrolli policor. Ai nuk arriti të ndalet në kohë, humbi kontrollin mbi automjetin dhe fillimisht goditi automjetin nr. 2, të tipit Mercedes.
Pas përplasjes, automjeti ka kaluar në krahun e majtë të rrugës dhe ka përfunduar në parkingun e një servisi, ku ka goditur edhe veturën zyrtare të Policisë, të tipit Shkoda, e cila ndodhej në pikë kontrolli jashtë rrugës.
Si pasojë e aksidentit, përveç dëmeve materiale në të tri automjetet, janë lënduar drejtuesit e automjeteve nr. 1 dhe nr. 2, si dhe disa pasagjerë.
Të lënduarit kanë marrë trajtim mjekësor dhe më pas janë liruar për në shtëpi.

