Numri i lartë i të arrestuarve gjeti policinë në Prizren pa mjaftueshëm pranga metalike. Në vend të tyre, u përdorën pranga plastike. Kur 23 persona të arrestuar për manipulim me vota u dërguan të shtunën në Gjykatë për seancën dëgjimore lidhur me masën e sigurisë, njërit prej tyre zyrtarët policorë i shkaktuan plagë në duar me këto pranga plastike, për çka u desh ndërhyrja e ekipeve emergjente.
Këtë e kanë konfirmuar burime brenda gjykatës për Dukagjinin, por Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren nuk ka dhënë përgjigje lidhur me rastin.
“Për shkak të numrit të madh të të ndaluarve gjatë së premtes në komunën e Prizrenit për manipulim me vota, disa prej tyre u dërguan në Qendrën Korrektuese në Lipjan. Avokatët e disa prej të ndaluarve kanë shprehur ankesa se ata janë mbajtur në kushte jo të mira, duke përfshirë ftohtin dhe funksionimin jo të plotë të objektit tash e 7 vite.”
Por pretendimet e avokatëve janë hedhur poshtë nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, sipas të cilit personat e ndaluar janë trajtuar në përputhje me ligjin dhe standardet humane.
“Bazuar në kërkesën e Policisë së Kosovës, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka vënë në dispozicion hapësira për mbajtjen e personave të ndaluar për 48 orë. Ata janë mbajtur në dy lokacione: Qendra Korrektuese në Lipjan dhe Qendra e Paraburgimit në Gjilan. Personat e gjinisë femërore janë akomoduar në hapësira të veçanta në Lipjan, sipas standardeve ligjore. Objekti nuk ka qenë jashtë funksionit; hapësirat e përdorura janë funksionale dhe shfrytëzohen sipas nevojës. Gjatë periudhës së ndalimit, personat janë mbajtur të ndarë nga të burgosurit dhe janë menaxhuar nga Policia e Kosovës, ndërsa Shërbimi Korrektues ka ofruar vetëm hapësirat dhe mbështetjen logjistike. Të ndaluarve u është siguruar ushqim, kushte higjienike dhe trajtim sipas ligjit dhe standardeve humane,” deklaroi Shërbimi Korrektues i Kosovës.
Ndërkohë, avokati Valdet Hoxha ka shprehur shqetësim për ekspozimin e të ndaluarve:
“Krahas një hetimi gjithëpërfshirës dhe transparent, duhet pasur kujdes edhe për ekspozimin e të arrestuarve. Në respekt të prezumimit të pafajësisë, çdo i dyshuar duhet konsideruar i pafajshëm derisa nuk ka vendim të formës së prerë. Etika dhe kujdesi duhet të jenë të pranishëm gjatë këtij procesi,” tha Hoxha.
Për këtë dhe çështje të tjera, disa familjarë kanë depozituar ankesa në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut. Kryetari i KMDLNJ-së, Behxhet Shala, ka deklaruar:
“Ankesat më shumë kanë të bëjnë me çështje teknike si hapësira e ngushtë, mungesa e ushqimit dhe ujit, për shkak të numrit të madh të të ndaluarve. Por shqetësimi më i madh është publikimi i emrave dhe fotografive të të ndaluarve pa filluar hetimet, gjë që shkel të drejtën për privatësi dhe prezumimin e pafajësisë.”
Për të vlerësuar trajtimin e të ndaluarve, në Gjykatën Themelore të Prizrenit gjatë së shtunës ishte i pranishëm edhe Avokati i Popullit.

