Tesla humb 15 miliardë dollarë në vlerën e markës më 2025, ndikojnë politika e Musk dhe mungesa e inovacionit

by engel

Vlera e markës Tesla ka shënuar një rënie të ndjeshme gjatë vitit 2025, duke humbur rreth 15.4 miliardë dollarë ose afërsisht 36 për qind, sipas një raporti të publikuar nga kompania ndërkombëtare e kërkimit dhe konsulencës Brand Finance. Kjo shënon vitin e tretë radhazi me rënie për prodhuesin amerikan të automjeteve elektrike.

Sipas Brand Finance, vlera aktuale e markës Tesla vlerësohet në 27.61 miliardë dollarë në renditjen e vitit 2026, një rënie e thellë krahasuar me 43 miliardë dollarë në fillim të vitit 2025, 58.3 miliardë në vitin 2024 dhe kulmin prej 66.2 miliardë dollarësh në janar të vitit 2023.

banner

Shefi ekzekutiv i Brand Finance, David Haigh, theksoi se mungesa e modeleve të reja inovative dhe çmimet relativisht të larta të automjeteve Tesla krahasuar me konkurrentët kanë ndikuar negativisht në perceptimin e markës. Sipas tij, ndikim të madh ka pasur edhe përfshirja e vazhdueshme e drejtorit ekzekutiv Elon Musk në politikë dhe gjeopolitikë, si dhe mungesa e fokusit të tij në biznesin kryesor të automjeteve.

Raporti tregon se Tesla ka pësuar rënie të ndjeshme në indikatorë kyç si reputacioni, besimi, rekomandimi dhe “coolness”, veçanërisht në tregjet evropiane dhe në Kanada. Në SHBA, rezultati i rekomandimit të konsumatorëve ra në nivelin më të ulët historik, 4.0 nga 10, nga 8.2 sa ishte në vitin 2023, duke treguar hezitim të qytetarëve për ta rekomanduar markën tek të afërmit dhe miqtë.

Studimi është realizuar me mbi 1,000 të anketuar në 18 vende të ndryshme. Megjithatë, raporti vëren se njohja e përgjithshme e markës Tesla është rritur në shumicën e tregjeve, ndërsa niveli i besnikërisë së klientëve në SHBA është rritur nga 90 në 92 për qind, çka tregon se pronarët aktualë vazhdojnë të mbeten të lidhur me markën.

Në të njëjtën kohë, konkurrenti kryesor i Teslës në Kinë, BYD, është cilësuar si ylli në rritje i sektorit automobilistik, me një rritje të vlerës së markës prej rreth 23 për qind, duke arritur në 17.29 miliardë dollarë. Pesë prodhues të tjerë, përfshirë Toyota, Mercedes-Benz, Volkswagen dhe Porsche, e kanë tejkaluar Teslën në renditje, me Toyotën që kryeson sektorin me një vlerë marke prej 62.7 miliardë dollarësh.

Raporti nënvizon se perceptimi i konsumatorëve për Teslën ndryshon dukshëm nga ai i tregjeve financiare. Aksionet e kompanisë patën një vit të paqëndrueshëm më 2025, të ndikuar nga përfshirja e Elon Musk në administratën e presidentit amerikan Donald Trump, retorika politike dhe mbështetja e figurave të ekstremit të djathtë në Evropë, çka shkaktoi reagime negative nga konsumatorët.

Megjithatë, aksionet e Teslës u rimëkëmbën pjesërisht në gjysmën e dytë të vitit pas lançimit të aplikacionit për transport dhe shërbimit pilot Robotaxi në Austin, Teksas, si dhe pas blerjes së rreth 1 miliard dollarëve aksione nga vetë Musk. Në fund të vitit 2025, çmimi i aksioneve u rrit me rreth 11 për qind.

Tesla pritet të prezantojë rezultatet financiare të tremujorit të katërt dhe planet për vitin e ardhshëm në një konferencë për investitorët, ndërsa interesim të veçantë ka ngjallur edhe mundësia e përfshirjes së investitorëve të Teslës në kompaninë SpaceX, e cila synon të dalë në bursë.

Ndërkohë, shërbimi satelitor Starlink, nën-markë e SpaceX, ka hyrë për herë të parë në renditjen “Top 500” të Brand Finance për vitin 2026, me një vlerë prej 5.19 miliardë dollarësh. Megjithatë, ekspertët theksojnë se rritja e Starlink nuk pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rikuperimin e markës Tesla, pasi të dyja kompanitë vlerësohen veçmas në sektorët përkatës.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy