Me rastin e 90-vjetorit të lindjes së gjeniut të letrave shqipe Ismail Kadare, Akademia Franceze do të organizojë një aktivitet në nderim të tij.
Ky aktivitet vjen si një bashkëpunim midis Akademisë Franceze dhe Ambasadës shqiptare në Francë, i cili do të zhvillohet në Institutin e Francës, Paris, më 29 janar.
Organizatorët e këtij eventi janë Xavier Darcos, kancelari i Institutit të Francës; Bernard Stirn, sekretar i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike; Amin Maalouf, shkrimtar, njëherazi dhe sekretar i Akademisë Franceze, si dhe Dritan Tola, ambasador i Shqipërisë në Francë.
Ky aktivitet do të bëjë bashkë disa nga personalitetet më të mëdha të kulturës franceze si Costa Gavras, Angelin Preljocaj, Jacques Attali, Tedi Papavrami. Në aktivitet do të marrë pjesë edhe familja e Ismail Kadaresë.
Kjo nuk është hera e parë që Franca nderon kujtimin e Ismail Kadaresë.
Në tetor të vitit 2025, këshilli bashkiak i Parisit miratoi propozimin që të vendoset një pllakë përkujtimore në ndërtesën ku ka jetuar Kadareja.
Pllaka u vendos në adresën 63 boulevard Saint-Michel në Paris, vendi ku ai dhe familja e tij jetuan për shumë vite dhe ku autori shkroi disa nga faqet më të bukura të letërsisë së tij.
Kolosi i letërsisë shqiptare, Ismail Kadare u nda nga jeta më 1 korrik 2024 në moshën 88-vjeçare.
Ismail Kadare është personalitet qendror i kulturës shqiptare të gjysmës së dytë të shek. XX. Fillimet e tij letrare janë kryesisht në poezi: “Frymëzime Djaloshare”, “Përse mendohen këto male” etj.
Në fushën e prozës, Kadareja lëvroi tregimin, novelën dhe romanin. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963) përbën veprën e konfirmimit të talentit të tij.
“Kronikë në gur”, “Prilli i thyer”, “Kamarja e turpit”, “Pashallëqet e mëdha”, “Kush e solli Doruntinën” etj., janë disa nga veprat e tij më të rëndësishme të krijimtarisë së tij letrare.
Veprat e Ismail Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të huaja dhe është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë. Në vitin 1994 ai u bë anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës. Laureati i shumë çmimeve, në 2005-ën, u nderua me “The Booker Prize Man”.
Ismail Kadare është dekoruar me urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrin “Kryqi i Legjionit të Nderit”, si dhe me çmime e nderime të tjera

