Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka ngritur alarmin për pasojat ekonomike që, sipas saj, po shkaktohen nga protestat e transportuesve në Ballkanin Perëndimor dhe nga zbatimi i rregullave të reja të Bashkimit Evropian për qëndrimin e shoferëve në zonën Shengen.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka deklaruar se kufizimi i qëndrimit të shoferëve nga Ballkani Perëndimor në maksimum 90 ditë për çdo gjashtëmujor, gjithsej 180 ditë në vit, po krijon pasiguri serioze në transportin ndërkombëtar dhe po trajton shoferët si turistë, e jo si punëtorë profesionistë.
“Ky vendim ka ngritur revoltë të madhe te transportuesit dhe ka krijuar tollovi në qarkullimin e mallrave, pasi shoferët po trajtohen sikur vizitorë dhe jo si punëtorë që kryejnë shërbime esenciale për ekonominë”, ka thënë Shahini për Ekonomia Online.
Ai theksoi se pas zbatimit të sistemit EES, i cili regjistron hyrje-daljet në zonën Shengen, transportuesit po kërkojnë leje speciale që shoferët të mos kufizohen nga rregullat që vlejnë për turistët. Sipas tij, aktualisht rreth 20 mijë kamionë janë të bllokuar mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, duke shkaktuar humbje ditore që arrijnë deri në rreth 1 miliard euro në shkëmbimet tregtare.
Shahini u bëri thirrje qeverive të rajonit që të reagojnë urgjentisht ndaj Brukselit, në mënyrë që të sigurohet trajtim i barabartë për shoferët dhe të shmangen pasojat zinxhir në ekonomi dhe furnizim.
Duke marrë si shembull Kosovën, ai tha se rreth 2 mijë kamionë kosovarë transportojnë mallra drejt vendeve të BE-së, ndërsa kufizimet kohore dhe rregullat e qarkullimit e bëjnë pothuajse të pamundur realizimin e disa udhëtimeve brenda afatit tre mujor.
Sipas AKB-së, mungesa e shoferëve, kërkesa e madhe nga tregjet evropiane, veçanërisht nga Gjermania, si dhe bllokadat aktuale, kanë ndikuar që çmimi i transportit ndërkombëtar të rritet tashmë për 15 deri në 20 për qind, ose 300 deri në 500 euro më shumë për një dërgesë.
Shahini paralajmëroi se nëse situata vazhdon, Kosova, e cila mbulon rreth 90 për qind të konsumit përmes importit, mund të përballet me mungesa të produkteve dhe rritje të çmimeve për qytetarët.
Ndërkohë, nga e hëna, transportuesit e mallrave kanë nisur protesta të koordinuara në pikat kufitare të Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Bosnjë e Hercegovinës dhe Malit të Zi. Shoqata maqedonase e transportit “Makam-trans” ka bërë të ditur se protesta është kundër sistemit të ri të regjistrimit të ditëve të qëndrimit në zonën Shengen, duke paralajmëruar bllokim të qarkullimit për automjetet transportuese të mallrave, ndërsa qarkullimi i automjeteve të udhëtarëve do të vazhdojë pa ndërprerje.
Organizatorët kanë paralajmëruar se protestat mund të zgjasin deri në shtatë ditë, nëse nuk ka reflektim nga institucionet evropiane.

