Zyrtarë e ish-zyrtarë: Largimi i punëtorëve shqiptarë në veri është diskriminim etnik dhe i kundërligjshëm

by informim peje

Pas ardhjes në pushtet të kryetarëve të rinj të komunave veriore, të cilët i përkasin Listës Serbe, janë shtuar shqetësimet për largimin e punëtorëve shqiptarë nga institucionet komunale.

Vendime dhe masa administrative, të arsyetuara me baza juridike apo procedurale, kanë nxitur reagime të forta nga përfaqësues politikë, ish-zyrtarë komunalë dhe njohës të çështjeve ligjore, të cilët paralajmërojnë për shkelje të mundshme të ligjit dhe diskriminim në baza etnike.

banner

Këto zhvillime po konsiderohen si pjesë e një qasjeje të koordinuar politike, që rrezikon funksionimin multietnik të komunave veriore dhe të drejtat e punëtorëve.

Ish-kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, për FrontOnline ka folur lidhur me vendimet e fundit që po ndërmerren në Komunën e Zubin Potokut, duke paralajmëruar se kryetarët e rinj serbë, përmes Listës Serbe, po bëjnë përpjekje të orkestruara për largimin e punëtorëve shqiptarë nga institucionet komunale.

‘’ Momentalisht në Komunën e Zubin potokut. Lista Serbe po bën vendime të orkestruara qysh di ajo përmes direktivave dhe po bën përpjekje në komunat tjera dhe sigurisht do të ketë edhe tek ne. Kanë qenë të pritura’’ tha ai.

Ai tha se aktualisht situata në Zubin Potok po përcillet me vendime të koordinuara, të cilat sipas tij vijnë si rezultat i direktivave politike dhe mund të shtrihen edhe në komunat e tjera veriore, përfshirë edhe atë ku ai vepron.

“Këto kanë qenë të pritura, por jo sa i përket punëtorisë. Deri tani nuk ka pasur vendime të tilla, por kjo nuk do të thotë që nuk do të ketë,” theksoi Zeqiri.

Sipas tij, vendimet për largimin e punëtorëve janë në kundërshtim me ligjin dhe procedurat administrative.

‘’Këto proceduralisht nuk janë në rregull sepse punësimet janë bërë me rregulla procedurale’’, shtoi ai për FrontOnline.

Ai sqaroi se punësimet janë bërë përmes konkurseve dhe rregullave të përcaktuara ligjore, prandaj nuk mund të anulohen në mënyrë arbitrare.

“Proceduralisht këto vendime nuk janë në rregull. Ata mund të largojnë asistentë apo këshilltarë të emëruar, por jo punëtorë të pranuar përmes konkursit. Këto veprime janë të paligjshme,” deklaroi Zeqiri.

Ish-kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhet Ugljani, ka komentuar zhvillimet e fundit në Komunën e Zubin Potokut, ku sipas tij po ndërmerren masa që po prekin drejtpërdrejt punëtorët shqiptarë pas ardhjes së kryetarëve të rinj serbë të zgjedhur.

‘’Sigurisht dhe juridikisht dhe procedurat që i ka marr kryetari sipas Kuvendit dhe kur e kemi formuar zyrën për komunitete dhe i kemi përfshirë shtatë anëtarë nga të gjitha komunitetet’’, tha ai.

Ugljani tha se veprimet aktuale të kryetarit po arsyetohen me baza juridike dhe procedurale, duke u thirrur në vendime të Kuvendit Komunal të marra më herët, përfshirë edhe periudhën kur ishte formuar Zyra për Komunitete, ku ishin përfshirë shtatë anëtarë nga të gjitha komunitetet.

“Komuniteti shqiptar është prekur më së shumti. Ata kanë marrë hapa në këtë drejtim sipas vendimit të Kuvendit dhe kanë theksuar juridikisht se përvoja e punës duhet të jetë gjashtë muaj. Me arsyetimin se disa punëtorë nuk e kanë pasur këtë përvojë, janë ndërmarrë masa ndaj tyre,” deklaroi Ugljani.

Ai shtoi se në vazhdimësi pritet që kryetari të mos ua vazhdojë kontratat punëtorëve që janë të angazhuar me kontrata të njohura, duke theksuar se këto vendime do të merren drejtpërdrejt nga kreu i komunës.

‘’Ata i kanë marr hapat në atë drejtim sipas vendimit të Kuvendit dhe sigurisht ata e kanë cek që juridikisht se përvoja e punës duhet me qenë gjashtë muaj, ata s’kanë pasur gjashtë muaj përvojë punë dhe më pas kanë marrur masa dhe në të ardhmen me punëtorët që janë të njohur me kontrata dhe atyre nuk do iu vazhdohen kontratat nga kryetari dhe ato juridikisht do i kryej kryetari ndërsa punëtorët që janë në sistem të përkohshëm dhe aty do të provojnë përmes masave disiplinore për largimin e tyre’’, shtoi ai.

Ndërkaq, sipas Ugljanit, për punëtorët që janë të angazhuar në sistem të përkohshëm, pritet të përdoren masa disiplinore si bazë për largimin e tyre nga puna.

“Këto procedura do të ndiqen nga kryetari edhe në të ardhmen, veçanërisht ndaj punëtorëve me kontrata dhe atyre të përkohshëm,” tha ai, duke nënvizuar se situata po krijon pasiguri për punëtorët shqiptarë në komunat veriore.

Asamblisti i PDK-së në Komunën e Mitrovicës së Veriut, Emir Azemi, për FrontOnline ka folur lidhur me largimet e fundit të punëtorëve shqiptarë nga institucionet komunale në veri të Kosovës, duke theksuar se raste të tilla nuk janë të pranueshme dhe duhet të trajtohen në përputhje me ligjin.

Azemi ka bërë të ditur se ka qenë në komunikim me një nga punëtorët shqiptarë të larguar nga puna, të cilin e ka inkurajuar të ndjekë procedurat ligjore.

“Si asamblist shqiptar kam pasur komunikimin me njërin nga të larguarit shqiptar nga puna dhe e kam rekomanduar dhe inkurajuar që t’i ndjekë rrugët ligjore. Ne kemi organe të pavarura dhe kemi pasur largime të punëtorëve edhe në të kaluarën, por Veriu i Kosovës është pak më i ndryshëm duke marrë parasysh specifikat”, ka deklaruar Azemi.

Sipas tij, respektimi i ligjit duhet të jetë parim bazë për të gjithë, pa dallim.

“Unë mendoj se çdo kush duhet ta respektojë ligjin, kudo që është. Nuk është e pranueshme për asnjë person nga asnjë anë, pa dashur me anu, sepse nuk jam jurist dhe nuk i njoh në detaje vendimet”, është shprehur ai për FrontOnline.

Azemi ka ngritur gjithashtu shqetësime për një nga pikat e vendimeve për largim, ku sipas tij përmendet përbërja etnike e punëtorëve, duke e konsideruar këtë si problematike.

“Në vendim, njëra nga pikat specifikon se numri i tyre duhet të jetë mbi baza etnike 3, 2, 2. Arsyetimet mund të përdoren sipas nevojës së tyre, por raste të tilla nuk duhet të ndodhin”, ka theksuar Azemi.

Në fund, asamblisti i PDK-së ka bërë të ditur se personat e larguar nga puna do t’i ndjekin rrugët ligjore për të kërkuar drejtësi.

“Personat e larguar do t’i ndjekin rrugët ligjore”, ka thënë ai.

Shefi i Zyrës për Komunitete në Komunën e Mitrovicës së Veriut, Xhevdet Haxhiu, për FrontOnline ka folur lidhur me largimet e punëtorëve shqiptarë nga puna në veri të Kosovës, duke vlerësuar se këto vendime janë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi dhe se rasti është dashur të trajtohej nga Zyra Ligjore e komunës.

Sipas Haxhiut, Zyra Ligjore e Komunës së Mitrovicës së Veriut ka pasur kompetencën për t’u marrë me këtë çështje, por pavarësisht shqetësimeve, vendimi është marrë nga juristët përkatës.

“Zyra ligjore e Komunës së Mitrovicës Veriore ishte dashur të merrej me këtë rast. Këto largime bien ndesh me ligjet në fuqi. Atje janë dy-tri juristë në zyrën ligjore, ata janë marrë me këtë rast, unë s’munda me ndërhy, por ata e kanë marrë një vendim”, ka deklaruar Haxhiu, për FrontOnline.

Ai ka theksuar se çdo qytetar që punësohet synon stabilitet në vendin e punës, ndërsa në këtë rast, sipas tij, ka munguar reagimi institucional i gjerë.

“Çdo qytetar i cili punësohet ka dëshirë me qëndru, por në këtë rast ishte dashur të reagojnë të gjithë”, ka shtuar Haxhiu.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy