Policia e Kosovës ka realizuar me sukses ekstradimin nga Italia në Kosovë të një shtetasi kosovar të kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar për vepra penale që lidhen me falsifikimin e dokumenteve.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, më datën 28 janar 2026 është bërë ekstradimi i shtetasit F. V., në koordinim të ngushtë ndërmjet Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), njësive relevante të Policisë së Kosovës dhe institucioneve të drejtësisë.
“I dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet italiane, pasi kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Republikës së Kosovës, për veprat penale ‘falsifikim i dokumenteve’ dhe ‘legalizim i përmbajtjes së rreme’”, thuhet në njoftim.
Autoritetet bëjnë të ditur se i dyshuari i ishte shmangur drejtësisë për një periudhë kohore, ndërsa lokalizimi dhe arrestimi i tij u mundësuan falë bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar.
Policia e Kosovës vlerëson se ky ekstradim është rezultat i bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Italisë.
Pas mbërritjes në Kosovë, i dyshuari iu është dorëzuar njësive përkatëse të Policisë së Kosovës për vazhdimin e procedurave të mëtejme ligjore.
Në përfundim, Policia e Kosovës thekson se Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor do të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale, përfshirë gjurmimin dhe arrestimin e personave të kërkuar brenda dhe jashtë vendit.

