Gjykata Themelore në Gjakovë ka njoftuar se ka marrë vendim për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj 15 personave, që dyshohet se në cilësinë e kryesuesve në Malishevë kanë manipuluar me votat e kandidatëve për deputetë.
Ata dyshohet se kanë kryer veprën penale “Falsifikim i rezultateve të votimit”.
Sipas kërkesës së Prokurorisë “ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve për numërimin e votave, me autorizime të marra nga KQZ, në Qendrën Komunale të Numërimit në Malishevë, e vendosur në palestrën e sporteve “Habib Zogaj”, me veprime të kundërligjshme kanë ndërhyrë në procesin e votimit, duke falsifikuar rezultatet e tij, me ç’rast kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor dhe vullnetin e lirë të votuesve”.
“Gjyqtari i procedurës paraprake, Sulltan Dobraj, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, pasi ekziston rreziku real që, nëse gjenden në liri, të njëjtit mund të ndikojnë në dëshmitarë dhe të pengojnë rrjedhën e procedurës penale, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një vepër penale me peshë të rëndë.”
Ata do të mbahen në paraburgim deri më 28 shkurt 2026.
“Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës, brenda afatit ligjor.”

