Rama: Asnjë kompromis me interesin publik, prona u kthye te qytetarët

by Nexhat

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas aktvendimit të Dhomës së Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale të Kosovës, e cila ka aprovuar ankesën e Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), ka prishur aktgjykimin e shkallës së parë dhe e ka kthyer lëndën në rivendosje, duke e cilësuar vendimin si fitore për interesin publik dhe kthim të pronës publike te qytetarët.

Në reagimin e tij, Rama ka theksuar se vendimi i gjykatës përbën një fitore për interesin publik dhe për qytetarët e Kryeqytetit.

banner

“Asnjë kompromis me interesin publik! Sot gjykata na dha të drejtë dhe prona publike u kthye te qytetarët e Kryeqytetit!”, ka deklaruar Rama.

Ai ka vlerësuar se vendimi i Dhomave të Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale është “një konfirmim i plotë i drejtësisë dhe i angazhimit të Kryeqytetit për mbrojtjen e pronës publike”, duke shtuar se ky vendim “vërteton edhe njëherë se rruga që kemi ndjekur për katër vjet ka qenë e drejtë, ligjore dhe në interes të qytetarëve të Kryeqytetit”.

Rama ka theksuar se Komuna e Prishtinës, përmes përfaqësimit institucional në NPB dhe përmes Zyrës Ligjore të Komunës, ka insistuar vazhdimisht që kontrata ndërmjet NPB-së dhe investitorit privat ka qenë e paligjshme dhe e dëmshme për interesin publik.

“Sot, këtë vlerësim e konfirmon edhe Gjykata Komerciale”, ka thënë ai.

Sipas kryetarit të Prishtinës, Komuna ka ndërmarrë të gjithë hapat ligjorë dhe proceduralë, duke hartuar dhe mbështetur padinë për prishjen e kontratës, ndërsa Zyra Ligjore ka vepruar me profesionalizëm të plotë, duke kërkuar që Komuna të jetë palë e interesuar në proces.

“Qëllimi ka qenë i qartë: prishja e kontratës së dëmshme për qytetarët e Prishtinës dhe kthimi i pronës publike te qytetarët”, ka theksuar Rama, duke potencuar se interesi publik nuk negociohet, ligji do të mbrohet dhe se Prishtina do të qeveriset gjithmonë në funksion të qytetarëve të saj. 

Aktvendimi i Gjykatës Komerciale të Kosovës, Dhoma e Shkallës së Dytë, ka konstatuar se ankesa e NPB-së është e bazuar, ka prishur aktgjykimin e shkallës së parë dhe ka kthyer lëndën në rivendosje në Gjykatën Komerciale – Dhomat e Shkallës së Parë. 

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy