Pesë persona janë arrestuar në Kaçanik për tentim të vjedhjes së rëndë
“Më 01.02.2026, rreth orës 01:40, policia në Kaçanik ka pranuar informacione se dy persona po tentonin të thyenin dritaren e një artarie në rrugën “Ismail Raka” në Kaçanik. Menjëherë pas pranimit të informacionit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur dhe arrestuar dy persona të dyshuar, shtetas të Serbisë: M.M. (36 vjeç) dhe D.T. (35 vjeç), të cilët janë kapur në flagrancë duke kryer veprën penale “Tentim vjedhje e rëndë”. Po ashtu, rreth të njëjtës kohë, një patrullë tjetër policore ka ndaluar një veturë me targa vendore, në të cilën ndodheshin tre persona të dyshuar, shtetas kosovarë: L.M. (48 vjeç), B.H. (42 vjeç) dhe R.F. (28 vjeç), të cilët janë shoqëruar në stacion policor.”
Policia ka konfiskuar mjete të dyshuara të përdorura për kryerjen e veprës penale, si: shufër metalike (hebell), dana, çelësa të ndryshëm, kaçavida, një mjet i mprehtë (skalpër), si dhe doreza.
“Gjatë kontrollit ndaj të dyshuarve janë gjetur edhe çelësat e një veture të tipit VW Caddy me targa vendore, e cila ishte e parkuar në afërsi të vendit të ngjarjes.”
“Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe përkthyesit, ndërsa dy nga ta kanë pranuar përfshirjen në rast.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, pesë persona janë dërguar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtjeme hetimore.”

