Në Prishtinë nesër (e enjte) do të mbahet French Business Day in Kosovo – Dita e Biznesit Francez në Kosovë, një forum i nivelit të lartë që synon fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik dhe promovimin e mundësive të investimit ndërmjet Kosovës dhe Francës.
Ngjarja organizohet nga Këshilli i Investitorëve Evropian, në bashkëpunim me Ambasadën e Francës në Kosovë, dhe përfaqëson edicionin e parë të një platforme që synon të shndërrohet në forum të përhershëm dialogu ekonomik mes dy vendeve.
Forumi do të hapet me fjalë përshëndetëse nga Emrush Ujkani, Drejtor Ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropian, dhe Olivier Guérot, Ambasador i Francës në Kosovë, si dhe nga përfaqësues të lartë të institucioneve qeveritare.
Gjatë ditës janë paraparë panele tematike që do të trajtojnë potencialin e sektorit financiar në Kosovë për mbështetjen e investimeve, tranzicionin energjetik dhe agjendën e gjelbër, partneritetet publiko-private në sektorë strategjikë, si dhe zhvillimin e ekosistemit të teknologjisë dhe inovacionit.
Në diskutime do të marrin pjesë përfaqësues të nivelit të lartë nga Banka Qendrore e Kosovës, Banka Botërore, BERZH, AFD – Agjencia Franceze për Zhvillim, si dhe investitorë dhe kompani franceze, ndërkombëtare dhe vendore.
Ngjarja do të përmbyllet me sesione të posaçme rrjetëzimi, të cilat synojnë krijimin e kontakteve konkrete dhe hapjen e mundësive të reja për bashkëpunim ndërmjet institucioneve, investitorëve dhe bizneseve nga Kosova, Franca dhe rajoni.
Sipas Ambasadës së Francës në Kosovë, “French Business Day in Kosovo synon të promovojë Kosovën si destinacion investimesh, të fuqizojë dialogun publiko-privat dhe të kontribuojë në thellimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare ndërmjet Kosovës dhe Francës.”

