455 milionë euro për rajonin, Kosova mbetet me zero – Shahini fajëson politikën

by informim peje

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur shqetësim lidhur me fondet e Bashkimit Evropian, duke bërë të ditur se 455 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së janë përfituar nga Serbia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, ndërsa Kosova nuk ka përfituar asnjë euro.

Për këtë situatë, kryetari i AKB-së, Agim Shahini, fajëson mungesën e institucioneve funksionale në Kosovë tash e gati një vit.

banner

“Aleanca Kosovare e Bizneseve shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë për faktin se 455 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian janë përfituar nga Serbia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, ndërsa Kosova nuk ka përfituar asnjë euro të vetme. Kjo nuk ka ndodhur për shkak të Bashkimit Evropian, por për shkak të papërgjegjësisë dhe bllokadës politike në Kosovë”, ka deklaruar Shahini.

Ai ka shtuar se, derisa vendet e rajonit po ecin përpara me investime dhe zhvillim ekonomik, Kosova po mbetet peng i krizës politike dhe moskonstituimit të institucioneve, duke rrezikuar humbjen e fondeve jetike për bizneset, vendet e punës dhe mirëqenien e qytetarëve.

Sipas tij, Kosova ka të drejtë të përfitojë rreth 880 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së, shuma më e lartë për kokë banori në Ballkanin Perëndimor, por për shkak të dështimit politik po rrezikon t’i humbasë këto mjete.

Shahini ka bërë thirrje për veprime të menjëhershme, duke theksuar se pasojat po i bartin bizneset dhe qytetarët.

“BE-ja ishte gati, fondet ishin në dispozicion, por Kosova dështoi për shkak të mungesës së përgjegjësisë politike. Ekonomia e vendit nuk mund dhe nuk duhet të mbahet peng i krizave politike. Humbja e këtyre fondeve është një dështim serioz që po e paguajnë bizneset dhe qytetarët. Aleanca Kosovare e Bizneseve kërkon veprim të menjëhershëm, konstituim të institucioneve dhe miratim pa vonesë të Planit të Rritjes dhe buxhetit të vendit. Bizneset po humbin, qytetarët po paguajnë – politika duhet të veprojë tani”, ka theksuar ai.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy