Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka vlerësuar se ngërçi politik gjatë vitit 2025 në Kosova ka pasur ndikim në rritjen ekonomike, duke e ngadalësuar atë dhe duke përshpejtuar inflacionin.
Në deklaratën përmbyllëse pas vizitës së Misionit në Kosovë, FMN ka theksuar se ekonomia ka treguar qëndrueshmëri përballë krizës së zgjatur politike, por se rritja është ngadalësuar, ndërsa inflacioni dhe deficiti i llogarisë rrjedhëse janë rritur.
“Përderisa ekonomia ka treguar qëndrueshmëri karshi ngërçit të zgjatur politik, vlerësohet se rritja është ngadalësuar në vitin 2025, ndërsa inflacioni është përshpejtuar dhe deficiti i llogarisë së jashtme rrjedhëse është zgjeruar. Ngërçi politik ka kufizuar avancimin e zbatimit të agjendës së reformave në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së dhe qasjen në financim të jashtëm”, thuhet në deklaratë.
Sipas FMN-së, rritja ekonomike është ngadalësuar në 3.5 për qind (vit mbi vit) deri në fund të tremujorit të tretë të 2025, nga 4.75 për qind sa ishte një vit më parë. Konsumi privat dhe investimet janë dobësuar për shkak të ngadalësimit të kreditimit dhe rritjes më të ulët të të ardhurave reale.
Rritja e importeve, veçanërisht në sektorin e energjisë, ka përkeqësuar bilancin tregtar, duke zgjeruar deficitin e llogarisë së jashtme rrjedhëse në 9.6 për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV), nga 8.4 për qind në vitin 2024. Ky ndikim është kompensuar pjesërisht nga rritja e konsumit qeveritar dhe investimeve publike, si rezultat i përmirësimit të ekzekutimit të buxhetit.
Inflacioni është përshpejtuar në 5.25 për qind në dhjetor 2025, nga 1.1 për qind një vit më parë, kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve. Punësimi formal ka vazhduar të rritet, por rritja e pagave reale ka stagnuar, ndërsa papunësia ka mbetur në nivelin 10 për qind. FMN vëren gjithashtu pjesëmarrje të ulët të fuqisë punëtore, veçanërisht të grave, si tregues i kapaciteteve të pashfrytëzuara në tregun e punës.
Sipas analizës preliminare të FMN-së, rritja reale e BPV-së për vitin 2025 ka qenë 3.4 për qind, ndërsa për vitin 2026 parashikohet rritje prej 3.8 për qind.
FMN ka rekomanduar rikalibrim të politikës fiskale për vitin 2026 me qëllim uljen e impulsit fiskal dhe adresimin e disbalancave makroekonomike. Në afatmesëm, politika fiskale duhet të mbështetet në një kornizë të bazuar në rregulla, duke balancuar stabilitetin makroekonomik me objektivat zhvillimore dhe ndërtimin e rezervave fiskale.
Tutje, FMN vlerëson se sektori financiar mbetet në gjendje të mirë, por rritja e shpejtë e kreditimit kërkon monitorim të afërt të rreziqeve. Institucioni ndërkombëtar thekson se reformat strukturore, në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së, do të ndihmojnë në përshpejtimin e rritjes ekonomike dhe në zhbllokimin e mbështetjes së konsiderueshme financiare të jashtme në periudhën afatmesme.

