Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i ka reaguar Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla për “Luftën hibride” të Vuçiqit, me të cilën i ka cilësuar publikimin e audio-incizimeve të Shefes së Grupit Parlamentar të VV’s, Mimoza Kusari-Lilës me ish-deputetin e Listës Serbe, Sllavko Simiq dhe protestën e paralajmëruar të veteranëve të UÇK’së, pasi s’u përfshinë në Ligjin për pagën minimale.
Në një postim në rrjetin social, kryetari i LDK-së, z. Abdixhiku dekleratën e ministrit Sveçla e ka quajtur të pamatur, nxitëse e ofenduese e Ministrit të Punëve të Brendshme.
Tutje sipas Abdixhikut, etiketimi i pabazë i gazetarëve e ofendimi i turpshëm i luftëtarëve – edhe nëse s’pajtohemi me ta – është nivel i ri i ulët i politikëbërjes në Republikë.
“Të injorosh komunikimin e shefes së partisë me një terrorist, e të ndërtosh gjuhë nxitëse e përplasëse me plot imagjinatë është maskaradë”, ka thënë ndër të tjera z.Abdixhiku
Postimi i plotë i kryetarit të LDK-së , z. Lumir Abcixhikut
Deklaratë e pamatur, nxitëse e ofenduese e Ministrit të Punëve të Brendshme. Etiketimi i pabazë i gazetarëve e ofendimi i turpshëm i luftëtarëve – edhe nëse s’pajtohemi me ta – është nivel i ri i ulët i politikëbërjes në Republikë.
Të injorosh komunikimin e shefes së partisë me një terrorist, e të ndërtosh gjuhë nxitëse e përplasëse me plot imagjinatë është maskaradë.
Kjo gjuhë, e dhënë tani, kërkon përplasje. Kërkon dhunë e kërkon krizë. Duket se mendja e pushtetit është mu në dhunë e krizë.
Sot, megjithatë na duhet maturi. Na duhen mendje të urta, që afrojnë e s’ndajnë. Sot, mbi të gjitha na duhen politikanë që distancohen nga një mendësi primitive e tillë. E mendësia e tillë meriton veçse shkarkim. Asgjë më pak.
Kosova meriton më mirë.
Kosova duhet ta bëjë një rrugë të re. Kjo gjuhë, dhuna e nxitja e saj, nuk kanë vend./ Informim.net