Në një kohë kur integrimi evropian mbetet synimi strategjik i Kosovës, mungesa e progresit në dialogun me Serbinë po shihet si një rrezik serioz për izolim politik dhe bllokim të agjendës eurointegruese. Njohës të çështjeve politike paralajmërojnë se pa rikthim të qartë dhe konstruktiv në tavolinën e bisedimeve në Bruksel, Kosova mund të përballet me pasoja të drejtpërdrejta në raport me Bashkimin Evropian.
Analisti politik Artan Muhaxhiri vlerëson se Bashkësia Ndërkombëtare e ka bërë të qartë se dialogu Kosovë–Serbi është e vetmja rrugë për avancim në procesin integrues. Sipas tij, çdo vonesë apo bllokadë në këtë proces përkthehet automatikisht në vonesë të rrugës evropiane të Kosovës. Në këtë kontekst, ai thekson se deklaratat për konsum të brendshëm nuk mund ta zëvendësojnë angazhimin real diplomatik.
Sipas Muhaxhirit, mesazhet e liderëve evropianë në vazhdimësi kanë pasur një emërues të përbashkët: rikthimin në dialog dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura. Pa këtë hap, izolimi politik mund të thellohet dhe Kosova të mbetet jashtë proceseve kyçe vendimmarrëse në raport me BE-në.
Në të njëjtën linjë, politologu Albinot Maloku thekson se faza aktuale e dialogut duhet të përqendrohet në implementimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër gjatë vitit 2023, përfshirë edhe aneksin e zbatimit. Ai vlerëson se Bashkimi Evropian, në rolin e lehtësuesit, pret hapa konkretë në jetësimin e këtyre dakordimeve, duke e lidhur drejtpërdrejt suksesin në dialog me perspektivën e anëtarësimit në BE, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë.
Maloku shpreh optimizëm se kryenegociatori i ri i Kosovës, Glauk Konjufca, mund të kontribuojë në zbutjen e tensioneve dhe në ndërtimin e një narrative më të balancuar për procesin e implementimit, duke e bërë atë më të pranueshëm në planin e brendshëm politik.
Megjithatë, thelbi mbetet i njëjtë: dialogu nuk është më një opsion, por një kusht. Nëse Kosova synon të shmangë izolimin politik dhe të mbajë gjallë perspektivën evropiane, ajo duhet të dëshmojë gatishmëri për angazhim serioz, konsistencë në qëndrime dhe respektim të zotimeve të marra. Në të kundërtën, rruga drejt BE-së rrezikon të mbetet një premtim i largët.

